Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka bërë një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato, duke blinduar një nga futbollistët e sezonit të kaluar. Burime pranë klubit shkodran konfirmojnë për “Shkodra Sport” se Melos Bajrami ka rinovuar kontratën me Vllazninë, teksa palët kanë vendosur për të vazhduar bashkëpunimin.
Mbrojtësi 23-vjeçar ka vendosur për të ardhmen e tij duke rinovuar me kuqeblutë, teksa edhe Vllaznia nga ana tjetër ka insistuar për ta mbajtur në gjirin e saj.
Mbrojtësi ka firmosur kontratën e re që do ta mbajë në Shkodër deri në verën e vitit 2026, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Ndërkohë, Vllaznia pritet të zyrtarizojë marrëveshjen në ditët në vijim.
Qendërmbrojtësi, i favorizuar këtu edhe nga shtatlartësia, duelet me kokë i ka si pikën e tij të fortë. Bajrami ka luajtur 30-ndeshje në total me Vllazninë, teksa gjatë kësaj kohe, ai ka gjetur edhe rrugën e rrjetës dy herë.(www.shkodrasport.com)