Lautaro Martinez vazhdon të shkruajë historinë e Interit. Me golin e shënuar në fitoren 2-0 ndaj Feyenoordit, në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Champions League, kapiteni zikaltër u bë golashënuesi më i mirë i Interit në këtë kompeticion, duke arritur kuotën e 18 golave, një më shumë se legjenda Sandro Mazzola. Gjithashtu, ai vendosi rekordin personal për numrin më të lartë të golave në një edicion të Champions-it, duke arritur 6 rrjeta”.

“Krenaria është fjala e parë që më vjen në mendje, – tha Lautaro për “Prime Video”, pas ndeshjes. – Jam mirënjohës ndaj Interit, tifozëve, shokëve të skuadrës. Pa ta, nuk do t’i arrija këto suksese. Falënderoj familjen time në Argjentinë dhe atë në Itali, gruan dhe fëmijët e mi. Flitet shumë për Interin, por ne luajmë çdo dy ditë prej 8 muajsh. Kemi një kalendar të ngjeshur, por zbresim gjithmonë në fushë për të dhënë maksimumin për këtë fanellë. Sonte kishim disa vështirësi në një repart, Bastoni e meritonte këtë vlerësim për sakrificën e bërë. Duhet ta përgëzojmë atë dhe gjithë ekipin”.

Për polemikat pas Juve-Inter – “Blasfemia? Unë jam një person që i respekton të gjithë. Këtë çështje e kam lënë pas. Kam sqaruar gjithçka, më akuzuan për diçka që nuk ishte e vërtetë. Unë e tregoj veten në fushë, ashtu siç më kanë mësuar që fëmijë”.

Në Rotterdam shënuan si Lautaro, ashtu edhe Thuram. Hera e fundit që të dy kishin gjetur rrugën e rrjetës në të njëjtën ndeshje ishte më 19 janar, në fitoren 3-1 ndaj Empolit, por kapiteni ishte larguar nga loja përpara golit të francezit. Për të gjetur një ndeshje ku të dy ishin në fushë dhe shënuan, duhet të kthehemi më 10 maj 2024, në fitoren 5-0 kundër Frosinones, një tjetër rast historik për sulmin zikaltër.

Lautaro për “Sky Sport” – “Do të më pëlqente të qëndroja tek Interi gjatë gjithë karrierës sime, jam shumë i lumtur këtu. E rinovova kontratën pas ‘Copa America’, megjithëse kisha shumë oferta në tavolinë. Vendosa të qëndroj, sepse këtu jam gjithmonë i lumtur. Çdo mëngjes zgjohem me gëzim për të shkuar në stërvitje. Edhe familja ime është e lumtur”./telesport/