Latif Gjondeda, trajneri që drejtoi pak muaj Flamurtarin në vitin 1997, i përgjigjet ekskluzivisht për “Panorama Sport” ish-shefit të sektorit të garave në FSHF, Besnik Çela, në lidhje me historitë që ka prodhuar sezoni 1996-1997. Gjondeda tregon ngjarje të pathëna më parë, ndërsa konfirmon se lojtarët e Flamurtarit janë rrahur para ndeshjes së fundit të kampionatit me Tiranën, që nuk u luajt e plotë, pasi vlonjatët braktisën fushën në shenjë revolte.Gjondeda Latif

“Unë ja thashë Besnik Çelës, pasi më mori në telefon pas prononcimit që dhashë për gazetën tuaj në lidhje me ngjarjet e vitit 1997. Më kujtoi edhe arbitrin e ndjerë Luan Zylfo, që na gjykoi dy ndeshje në atë periudhë. Ja sqarova dhe që unë kam edhe dy fotografi që kemi qenë me Besnikun, Nesti Arapin dhe Skënder Hykën. Madje po diskutonim dhe debatuam, që kampionati duhet të vazhdonte ku u la dhe me pikët që ishin pas 17 javëve. Unë e lexova prononcimin që Çela bëri dhe madje po në atë ditë i dërgova edhe dy fotografi. Për Kupën e Shqipërisë që mbaroi para kampionatit, bëmë tre ndeshje.

Një u zhvillua në Tiranë, një në Durrës dhe finalja me Partizanin. Kjo ndeshje 90 minuta doli 2-2, me shtesë loje dhe penallti përfundoi 5-4 për Partizanin. Edhe ai (i referohet Besnik Çelës) pranonte atë që në ndeshjet në kampionat, gjyqtari Luan Zylfo nuk ka dhënë një penallti. Por thotë që latë edhe ndeshjen ju, u tërhoq edhe Shkëlqim Selami… Kjo është për t’i ndryshuar kuptimin asaj që ndodhi. Ishin të gjithë tifozët aty.

Por, ata pretendonin dhe në ndeshjet e para dhe ne na vunë Shkumbinin kundër. Atëherë ishte Vasil Bici trajner. Unë kam bërë pak debate me Vasilin. I thashë që çfarë keni me Vlorën që i turreni Flamurtarit… Ndeshjen e parë e kemi bërë me Shkumbinin, kemi dalë 2-2. Kemi luajtur me djem të rinj. E pranonte Besniku dhe thoshte që Flamurtari kishte ekip të mirë”, tregon fillimisht Latid Gjondeda për “panoramasport.al”.

“NA RRAHËN LOJTARËT”

I pyetur për vështirësitë në vitin e mbrapshtë 1997, ish-trajneri i Flamurtarit, Latif Gjondeda thotë se lojtarët e tij janë rrahur në “Qemal Stafa” dhe ai vetë është kërcënuar në hotel para ndeshjes ndaj Tianës, që ishte e fundit për sezonin 1996-1997. “Nuk është e vërtetë që u tërhoq ish-presidenti Shkëlqim Selami dhe drejtuesit e tjerë. Ndodhi incidenti në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës dhe nuk vazhdoi ndeshja… I thashë zotit Çela që tani nuk është i njëjti rast, pasi atëherë ndodhi vërtetë për gjithë Shqipërinë. Revolta dhe trazirat plasën në Vlorë, ndërsa koronavirusi tani është në të gjithë globin.

Ne pranuam që ta mbyllim ndeshjen e fundit të kampionatit, por mënyra se si e organizuan ata… (Flamurtari-Tirana u luajt vetëm 60 minuta, 1997, pasi ekipi vlonjat u tërhoq nga fusha për shkak të arbitrimit). Na kanë rrahur në atë kohë dhe është e vërtetë ajo që ka thënë Sokol Kushta. Më thoshin ‘ti do e marrësh kampionatin…’ Nuk kisha çfarë të bëja. I binte që të rrihesha me gjithë Tiranën. Më goditën futbollistët. Mua më erdhën në hotel, më kërcënuan. Çfarë të merresha unë me arbitrat… Vlora e meritonte atë titull. Ndodhën trazirat, por nuk i solli Vlora. Si puna e virusit tani…”, thotë ish-trajneri.

“FSHF, THIRRI MENDJES”

Në një kohë që gjithçka është bllokuar tashmë pas përhapjes së virusit Covid-19, ish-lojtari i njohur vlonjat jep mendimin e tij për mënyrën se si duhet të vazhdojë sezoni pas qetësimit të situatës. “Unë mendoj se kjo situatë e krijuar nga koronavirusi do të vazhdojë gjatë. Fakti është që bukuria dhe kënaqësia ju prish kampionatit të këtij viti nga fatkeqësia natyrore. Kjo do zgjasë tani, nuk është një ditë, pesë ditë apo një muaj. Me zgjatjen që do të ketë kampionati, bukuria, lezeti dhe kënaqësia humbet, qoftë për atë që fiton titullin apo edhe ekipet që dalin nga kategoria.

Kështu që FSHF duhet të jetë pak e ndërgjegjshme. Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk është si puna jonë atëherë. Mbaj mend që në vitin 1997 merrja leje unë tek të fortët, sepse çfarë na ndodhte sot nuk na ndodhte nesër. Por shyqyr Zoti, nuk na ndodhi asgjë. Nuk është se FSHF do t’i vijë në ndihmë ndonjërës nga këto skuadra me vendimin që mund të marrë… Tani duhet t’i thërrasim mendjes dhe ekipet të përgatiten për kampionatin tjetër. Të kalojmë epideminë një herë, pastaj të flitet për futboll”, përfundon Gjondeda.