Shkruar nga Endri ÇINARI
Barazimi 1-1 në transfertën e Korçës ndaj Skënderbeut rikonfirmoi edhe një herë një problematikë që ka shoqëruar Vllazninë përgjatë gjithë fazës së parë të kampionatit. Skuadra shkodrane duket se është tepër e varur nga kontributi ofensiv i dyshes Bekim Balaj dhe Edon Murataj, të cilët po mbajnë mbi supe një pjesë të konsiderueshme të peshës së sulmit kuqeblu.
Edhe në përballjen ndaj korçarëve, dy futbollistët ishin protagonistët kryesorë të aksionit që solli golin për Vllazninë. Ishte Edon Murataj ai që shërbeu asistin për Bekim Balajn, duke treguar edhe një herë rëndësinë që ka në lojën sulmuese të skuadrës. Mesfushori po kalon një periudhë mjaft pozitive, ku kontributi i tij me gola dhe asiste e ka shndërruar në një prej futbollistëve më në formë të nëntëherë kampionëve të vendit.
Nga ana tjetër, Bekim Balaj vazhdon të konfirmojë instinktin e tij prej goleadori. Kapiteni kuqeblu gjeti sërish rrugën e rrjetës në Korçë, duke regjistruar golin e katërt personal në këtë edicion të Superiores. Një kontribut i rëndësishëm për sulmuesin shkodran, i cili mbetet pika kryesore e referimit në repartin ofensiv të skuadrës së drejtuar nga Csaba Laszlo.
Shifrat flasin qartë për peshën e kësaj dysheje në lojën e Vllaznisë. Balaj me katër gola dhe Murataj me tre kanë realizuar së bashku shtatë nga 11 golat e shënuar nga skuadra shkodrane deri në këtë pikë të kampionatit. Pra, më shumë se gjysmën e prodhimit ofensiv të kuqebluve e mbajnë mbi vete vetëm dy futbollistë, një tregues domethënës i varësisë që ka krijuar ekipi ndaj tyre.
Kjo situatë bëhet edhe më e dukshme në ndeshjet kur njëri prej tyre nuk arrin të jetë në nivelin e zakonshëm apo kur kundërshtarët arrijnë t’i neutralizojnë. Në këto raste, Vllaznia has vështirësi për të prodhuar raste dhe për të gjetur alternativa të tjera përpara portës kundërshtare. Mungesa e një kontributi më të shpërndarë në shënimin e golave është një prej problemeve që duhet të marrë zgjidhje në vazhdimësi.
Padyshim që forma e Balajt dhe Muratajt është një armë e rëndësishme për Vllazninë, por një skuadër që pretendon të jetë konkurruese nuk mund të mbështetet vetëm te dy futbollistë për të zgjidhur ndeshjet. Kuqeblutë kanë nevojë që edhe pjesa tjetër e repartit ofensiv të marrë më shumë përgjegjësi, në mënyrë që golat dhe rezultatet pozitive të mos varen gjithmonë nga e njëjta dyshe.


