Shqipëri-Serbi është ndeshja kualifikuese e Botërorit, e cila po pritet me padurim nga tifozët. Trajneri i njohur, Ledio Pano, iu përgjigj pyetjeve të gazetares Trevisa Tufa, në emisionin “Sport News”, në “News 24”.
E KALUARA – “Ajo që ka ndodhur vite më parë, ka dhënë efektin e vet. Le ta shikojmë vetëm në anën sportive. Edhe trajneri serb tha që do vijnë që të luajë futboll, gjërat e tjera do t’i lemë te të tjerët. Futbollistët që veshin jo vetëm fanellën e Kombëtares, por edhe në kompeticione UEFA, kanë emocione. Vetvetiu, sa futesh në fushë, ke emocione. Kur fillon ndeshja më pas, e ke mendjen te topi”.
JEHONA – “Ne kemi filluar prej javësh të flasim për këtë ndeshje, mos të them prej muajsh. Shqiptarët e Kosovës e ndjejnë më shumë se të gjithë këtë ndeshje. Nuk mund të luash siç luajte me Andorrën. Përballë kemi një ekip me cilësi. Pres rezultat pozitiv, e rëndësishme është të mos humbasim”.
SULMI – Një nga dilemat më të mëdha të Silvinhos para ndeshjes ndaj Serbisë, është sulmi. Trajneri Ledio Pano tha se sulmues qendre preferon Manajn, ndërsa sipas tij problem kemi krahët. “Me ato që na ka treguar në ndeshjet e fundit, padyshim se dua të luajë Manaj. Edhe Daku po të jetë, është pothuajse njësoj. Problemi është te krahët, si do të luajmë aty që të furnizojmë qendrën. Broja nga krahu i djathtë, Hoxha nga krahu i majtë, janë dy lojtarë që marrin krahun. Duhet të shkojmë deri në fundore për të vendosur në vështirë mbrojtjen kundërshtare. Duhet të ulim ritmin dhe besimin te Serbia”, deklaroi Pano.