Shqipëria do ketë ndoshta nje nga ndeshjet më të rëndësishme të historisë nesër në mbrëmje në “Air Albania”. Përballë kuqezinjëve në orën 20:45 do jetë Polonia. Një takim direkt ky për vendin e dytë në grup ku Shqipëria ka 15 pikë e ndërsa polakët 14 të tilla.

Por, përballjet me Poloninë nuk janë të panjohura për Shqipërinë. Kjo pasi në 30 maj të vitit 1985, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit Meksikë 1986, Shqipëria në atë ditë humbiste në Tiranë nga një gol i “i shënuar nga avioni”.

Do ishte ish-sulmuesi legjendar polak, Zbigniew Boniek që do i jepte triumfin Polonisë me golin e tij. Deri këtu asgjë e çuditshme, por sulmuesi vinte direkt nga aeroporti në ndeshje, pasi një natë më parë, në 29 majin e famshëm të 1985, ku ndodhi edhe tragjedia e Heyssel midis Juventusit dhe Liverpool për finalen e Ligës së Kampionëve, Boniek kishte qenë në fushë.

Sulmuesi kishte luajtur përkrah Platini për triumfin europian të Juventusit që mundet Liverpool me shifrat 1-0. E në më pak se 24 orë, Boniek luajti edhe me kombëtaren e tij duke i dhënë fitoren kundër Shqipërisë.

Një “gol nga avioni” do cilësohej, një histori sa e veçantë, por edhe pazakontë e ndoshta nesër është koha për “hakmarrje” ndaj Boniek që deri në gusht të këtij viti ishte edhe kreu i federatës së futbollit polak.
Endri ÇINARI