Tjetër problem dëmtimi te Vllaznia. Pas malazezit Bulatoviç dhe brazilianit Da Silva, një tjetër lojtar ka përfunduar në infermieri. Bëhet fjalë për brazilianin tjetër, sulmuesin Kaina. Kur ekipi i parë i Vllaznisë po luante miqësoren ndaj ekipit U21, ai ka qëndruar në pankinë duke parë ndeshjen, por pa qenë në gjendje as te luante dhe as te stërvitej.

Mësohet se ai ka pësuar një dëmtim ditët e fundit në stërvitje, por me dëshirën për të mos e ndalur atë ka vijuar të stërvitet sërish i dëmtuar dhe kjo i ka krijuar paksa probleme më shumë. Mjekët i kanë rekomanduar pushim 10-ditor e kjo do të thotë se ai ka humbur mundësinë për të qenë i gatshëm për dy ndeshjet e ardhshme, atë ndaj Labërisë për Kupë të mërkurën dhe ndaj Dinamos të dielën për kampionat.

FORMACIONI – Dëmtimet duket se do të kushtëzojnë teknikun Brdariç për sa u përket përzgjedhjeve që do të bëjë për dy takimet, por veçanërisht për përballjen ndaj Dinamos. Tekniku Brdariç do të ndërtojë një tjetër formacion ku ndryshimet pritet të jenë evidente.

Mungesat e Da Silvës dhe Adilit kanë bërë që lëvizjet e teknikut të jenë më të mëdha për këtë përballje. Me sa duket, mbrojtja do të riformatohet edhe një herë. Dianje pritet që të nisë nga minuta e parë në këtë përballje, treshja Kruja, Gurishta e Halaj.

Kapiteni Gurishta sërish nuk pritet që të jetë në pozicionin e tij natyral, por do të vendoset në krah të Dianjes në qendër të mbrojtjes. Nisur nga përballja e fundit mes llojit me Vllazninë U-21, janë vërejtur lëvizje edhe në mesin e fushës e po ashtu edhe në sulm. Mustedanagiç ishte në vend të Heriçit dhe për teknikun mund të jetë një tjetër lëvizje, por kësaj here falë konkurrencës mes dyshes boshnjake.

Ndërsa nga sa u pa, Krymi e Jonuzi janë të pandryshueshëm. Dy lëvizje të tjera në treshen e sulmit. Latifi ngelet i palëvizshëm, ndërsa në krahun tjetër të këtij reparti mund të rikthehet golashënuesi më i mirë i Vllaznisë në sezonin e shkuar, vlonjati Ardit Hoxhaj.

Ai nuk ka marrë asnjë minutë në këtë sezon dhe një rikthim i tij mund të sjellë edhe më shumë besim te fitorja për Vllazninë. Ndërsa në majë të sulmit mund të jetë kësaj here Gjurgjevic, duke lënë ndoshta për të parën herë në stol kroatin Aralica. Megjithatë, deri të dielën ka ende kohë dhe tekniku, duke pasur në dispozicion edhe ndeshjen e Kupës, mund të shikojë të tjera lëvizje.