FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEBasania shfrytëzon pushimin, fiton miqësoren me North United

Basania shfrytëzon pushimin, fiton miqësoren me North United

Shkruar nga Endri ÇINARI

Basania dhe North United kanë shfrytëzuar pushimin e kampionateve për të mbajtur në ritëm skuadrat, duke u përballur këtë të shtunë në një ndeshje miqësore. Një takim që u shërbeu të dy trajnerëve, Shytani dhe Mani, për të testuar futbollistët dhe për të konsoliduar më tej grupet në prag të rikthimit në aktivitetin zyrtar.

Në fushë, diferencat mes dy skuadrave ishin të dukshme, me Basanian që kontrolloi takimin dhe në fund triumfoi me rezultatin e thellë 7-1. Ekipi i Kategorisë së Dytë pati epërsi në pjesën më të madhe të sfidës, duke konkretizuar rastet e krijuara dhe duke e kthyer miqësoren në një test të vlefshëm.

Protagonisti kryesor i kësaj ndeshjeje ishte Michael, i cili spikati me katër gola. Sulmuesi ishte vendimtar në suksesin e Basanias, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës kontribuoi për të kompletuar fitoren bindëse ndaj North United.

Pavarësisht rezultatit, fokusi i të dyja skuadrave ishte te ritmi dhe përgatitja. Basania po shfrytëzon këto ditë pushimi për të ruajtur formën e futbollistëve, ndërsa trajneri Shytani pati mundësinë të shohë nga afër gjendjen e lojtarëve dhe të punojë për detajet që do t’i duhen ekipit në vazhdim.

Java e ardhshme rikthen ritmin e zakonshëm për Basanian në Kategorinë e Dytë ku do jetë përballë Tërbunit. Aty ku skuadra ka pretendime serioze dhe synon të jetë protagoniste. Për këtë arsye, çdo ndeshje dhe seancë stërvitore në këtë periudhë shërben për të mbajtur grupin në gatishmëri dhe për të përmirësuar elementët e lojës.

Ndërkohë, North United po përgatitet për një aventurë të re, me skuadrën që pritet të nisë së shpejti rrugëtimin në Kategorinë e Tretë. Për trajnerin Mani, kjo miqësore ishte një tjetër mundësi për të konsoliduar ekipin dhe për të parë nivelin e lojtarëve në një përballje ndaj një kundërshtari më të avancuar në aspektin e konkurrimit zyrtar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments