Shqipëria U21 ka regjistruar një barazim dinjitoz pa gola në miqësoren e luksit ndaj Spanjës U21. Edhe pse iberikët ishin favoritë absolutë në letër, teksa kishin në përbërje yje si Bernal i Barcelonës, Espi i Realit, Mendoza i Atletikos, Kanales i Bilbaos apo edhe Vale i Komos, kuqezinjtë u përballën si të barabartë, duke pasur edhe disa shanse të arta shënimi.
Edhe pse iberikasit ishin ndjeshëm më imponues në qarkullimin e dendur të topit, kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kishin rastin e “artë” në minutën e 13-të me Ermir Rashicën, por ky i fundit gaboi përballë portierit Manuel Gonzalez.
Me një pjesëmarrje të kënaqshme në shkallët e stadiumit, kombëtarja Shpresa ka bërë krenarë tifozët e pranishëm dhe jo vetëm. Daka, Përndreca, Arifi dhe Tresa ishin lojtarët nga kampionti shqiptar që u aktivizuan në këtë përballje.
FT SHQIPËRI U21 VS SPANJË U21 0-0


