Emri: Akileu. Mbiemri: Ndreca. Profesioni: “Vrasës” para porte. Me dy golat e shënuar kundër Bylisit, sulmuesi lezhjan Ndreca kandidon veten për të qenë titullar në fushën e lojës.
Deri para Bylisit kishte luajtur në 3 ndeshje 32 minuta, duke mos pasur fat, pasi shtylla i kishte mohuar golin. Në Ballsh, sulmuesi jo vetëm që shënoi golin e parë zyrtar me fanellën bardheblu. Një perlë më vete, si dhe i dha mundësinë Tiranës që me golin e dytë të tij të ishte në avantazh momentar.
Një ndeshje e jashtëzakonshme për sulmuesin që në katër gola shënoi dopietën e tij të parë me bardheblutë. Për “Panorama Sport” ai rrëfeu emocionet e golave si dhe dëshirën që të vazhdojë me këtë ritëm.
“Jam shumë i lumtur për dy golat, sepse kthyem rezultatin edhe pse nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Fatkeqësisht golat nuk ndihmuan skuadrën për të arritur fitoren. I tillë është futbolli. Një moment nuk je i përqendruar e pëson”, tha në fillim Ndreca.
Ai ua dedikon dy personave që gjithmonë i qëndrojnë pranë. “Golat shkojnë për menaxherët Kristian Gjidodaj dhe Enis Brahimi. Falë tyre jam këtu ku jam. Përsa i përket fanellës së titullarit vendos trajneri. Unë mundohem që çdo ditë të jap më shumë nga vetja. Në çdo moment, për të arritur fanellën e titullarit”, vazhdoi më tej sulmuesi.
Ndreca beson se bardheblutë, shumë shpejt do të marrin fitoren e parë. “Përsa i përket faktit që Tirana s’po arrin fitoren, besoj se kemi luajtur mirë në ndeshjet e kaluara. Rezultati na ka dënuar. Kemi qenë dhe të pafat nuk e them për të gjetur pretekst. Absolutisht duhet të bëjmë më shumë që këtë ndeshje që vjen të marrim fitoren e parë, pasi nuk mjafton vetëm të luash mirë për të marrë tre pikët”, mbylli Akileu Ndreca.