Nga Endri ÇINARI

Sulmuesi i Vllaznisë, Kevin Dodaj ka shkëlqyer në miqësoren që kombëtarja U-21 e Shqipërisë zhvilloi kundër bashkëmoshatarëve të Hungarisë. I hedhur në fushë në pjesën e dytë të ndeshjes nga ana e trajnerit Bushi, 19-vjeçari u bë menjëherë protagonist duke shënuar golin e shifrave 0-1 që në minutën e 46-të. Megjithatë kjo do ishte ndeshja e sulmuesit të Vllaznisë.

Pasi në minutën e 76-të “gatoi” edhe golin e fitores të shifrave 1-2, gol që u shënua nga Osmani. Një performancë për tu mbajtur mend nga Dodaj me fanellën e kuqezinjëve të vegjël, ku shënoi gol dhe dhuroi asist në suksesin 1-2 ndaj Hungarisë.

Patjetër ky nivel i shfaqur nga sulmuesi kënaq edhe tek klubi shkodran, i cili mund të përfitojë nga një shitje e mundshme e tij. Tek kuqeblutë “fërkojnë duart” që për Dodjan të paraqitet një ofertë shumë e majme.

Teksa në javët e fundit është diskutuar për një interesim konkret të AIK në Suedi, e në ditët në vijim mund të merret vesht më shumë për të ardhmen e një prej futbollistëve më të talentuar të Superligës sonë.(www.shkodrasport.com)