Ditën e djeshme, figura të shquara të sportit dhe politikës, kanë nderuar në 80-vjetorin e lindjes së tij, legjendët e Partizanit, Panajot Panon.

I pranishëm ishte edhe shkodrani Sabah Bizi, i cili Panon e ka pasur në ekip, teksa vetë ka qenë pjesë e Partizanit në vitet 1968-1971. Në fjalën e tij, Bizi ndau me të ftuarit edhe një episod të bukur me “Mbretin” e futbollit shqiptar.

“E ndieja për detyrë të isha këtu, pavarësisht gjendjes në të cilën jam. Kur komentatorët e atëhershëm transmetonin ndeshjet, me thëniet e tyre u bëra tifoz i Panajotit. S’e kisha menduar që do isha në një skuadër dhe shok me të.

U fol shumë, por është shumë pak. Po të isha shkrimtar, do bëja një libër që peshon një kilogram. Te Partizani me Panajotin gjeta gjuhën e përbashkët, atë të futbollit.

Kur gaboja dhe stadiumi bënte ‘uuu’, ai ma kthente në një ‘aaa’ të madhe. Së bashku me Loro Boriçin, janë si shqiponja dykrenare në flamurin shqiptar” – deklaroi Sabah Bizi.