Me rënien e Laçit nga Kategoria Superiore, portieri Marco Molla vendosi t’i ndajë rrugët me të. 23 vjeçari shkodran tashmë është pa kontratë dhe si rrjedhojë janë jo të pakta ekipet që duan shërbimet e tij. Ish- portieri i Bolonjës mësohet se ka shprehur dëshirën të vijojë të luajë në Shqipëri dhe si rrjedhojë është në kontakt me disa ekipe.

Pas disa ditësh qëndrimi në Itali pranë familjes së tij, ai kohët e fundit është rikthyer në Shkodër ku po zhvillon stërvitje individuale me një trajner personal dhe po pret akordin me ndonjërin prej ekipeve më të interesuara.

Kujtojmë se Molla është një portier me shumë të ardhme dhe përpara disa vitesh është shpallur nënkampion i Europës me 17 vjeçarët e Italisë. Më pas në moshën 19 vjeçare firmosi kontratë profesioniste me ekipin e Bolonjës, por disa gjëra nuk i shkuan ashtu si duhet dhe luajti në Seria C.

Sezonin e kaluar erdhi tek Laçit, por pa arritur dot ta ndihmojë të qëndrojë në Superligë, por jo për fajet e tij. Ndërsa tani portieri shkodran po kërkon një tjetër aventurë. Ditët e fundit ka patur kontakte edhe nga Kosova, por Molla dëshiron të vazhdojë të luajë në Shqipëri dhe mbase kjo javë do të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.