Sulmuesi i ri shkodran, Mehdi Çoba, shpreh keqardhjen për humbjen e Superkupës. Sipas tij, rezultati nuk iu përgjigj asaj që tregoi Vllaznia. Vetë Çobës në këtë takim iu anulua një gol, i cili krijoi jo pak polemika. Sulmuesi që ka marrë një ftesë nga tekniku i Kombëtares U-21 tani, me sa duket, kërkon edhe më shumë hapësirë. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për pritshmëritë që ka këtë sezon.


Keqardhje për mosfitimin e Superkupës. Çfarë ndikoi te kjo mosarritje?

Superkupa ishte një objektiv dhe dëshirë në mënyrë që ta nisnim sezonin sa më mirë. Një trofe më shumë simbolik, por që realisht na la disi një ndjenje jo të mirë ajo humbje. Rezultati nuk iu përgjigj lojës. Uroj që ta harrojmë shpejt me fitoret në kampionat e Kupë.


Një gol i shënuar nga ana juaj, mendoni se ai gol nuk duhej anuluar?

Nuk e di nëse duhej anuluar apo jo. Në moment nuk m’u duk “offside”. Edhe kur pashë pamjet nuk isha 100% i bindur. Por tani kemi VAR dhe vështirë se mund të bëjmë polemika.

Sipas jush, çfarë nuk shkoi te Vllaznia në këtë takim?

Për këtë pjesë nuk më takon mua të flas. Janë gjëra që i di trajneri dhe stafi i Vllaznisë. Ne jemi futbollistë dhe duhet gjithmonë të jemi të gatshëm për çdo ndeshje.

Një rivalitet për sulmin, çfarë pret më shumë Çoba nga ana e stafit teknik?

Rivaliteti është pozitiv në çdo ekip, pasi secili do të japë më të mirën nga vetja për të arritur formacionin. Unë pres shansin tim si gjithë lojtarët e tjerë.


Një ftesë për ju nga stafi teknik i U-21, sa ndikim do të ketë kjo te ju?

Kjo është diçka që më motivon akoma më shumë. Të jesh pjesë e Kombëtares në çdo grupmoshë është krenari dhe përgjegjësi. Patjetër që kjo më jep shtysë akoma më shumë për të ardhmen, për t’u përmirësuar akoma me tepër.

Pavarësisht humbjes së Superkupës si e shikoni Vllazninë e këtij sezoni?

Sezoni është i gjatë dhe i vështirë. Patjetër që dëshira është e madhe për fitimin e trofeve. Besoj se do jemi sërish ndër pretendentët edhe këtë sezon. Por çdo gjë t’i lihet fushës, sepse aty do tregohen vlerat e të gjithëve.