Nga Maringlen ZHIVANI

Merkatoja verore sapo ka nisur dhe ekipet shqiptare po përpiqen që të bëjnë goditjet që iu duhen për të qenë konkurrues sezonin që vjen. Kështu, një nga emrat që synohet në këtë merkato nga klubet shqiptare është edhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Ardit Deliu.

Drejtuesit e Elbasanit dhe Ballkanit kanë hyrë në bisedime me ish-mesfushorin e Vllaznisë, i çili pak ditë më parë u largua nga skuadra kuqeblu pas një viti qëndrimi. Nga sa thuhet, Elbasani e sheh Deliun si një pjesë kyçe të formacionit për sezonin e ardhshëm dhe kërkon që ta ketë me patjetër pjesë të ekipit.

Nga ana tjetër, mesfushori 27-vjeçar kërkohet edhe nga ekipi i Ballkanit, teksa trajneri Orges Shehi, ka kërkuar ta ketë në organikë ish-futbollistin e Vllaznisë. Deliu është një emër i njohur për futbollin shqiptar, i cili ka përvojë si futbollist si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Ai ka qenë pjesë e klubeve si Laçi, Tirana dhe Vllaznia në Superiore, ndërsa ka provuar edhe aventura jashtë Shqipërisë, konkretisht në kampionatin letonez me Liepaja. Më herët, Deliu ka luajtur edhe në Kroaci me Hajdukun e Splitit apo RNK Split.(www.shkodrasport.com)