Nga Endri ÇINARI
Pavarësisht se momentalisht duket se Vllaznia ka rënë në qetësi përsa i përket merkatos në hyrje, tek shkodranët nuk e heqin aspak vëmendjen nga afrimi i futbollistëve cilësor në skuadër. Kështu ai që mbetet një “fiksim” për kuqeblutë dhe trajnerin Martini është afrimi i një mesfushori me tipare sulmuesi. Një tip lojtari që aktualisht mungon tek 9 herë kampionët e vendit, ku ndoshta i fundit në këtë rol te Vllaznia ishte Viktor Da Silva.
Kështu emri më i lakuar gjatë gjithë kësaj periudhe është ai i Sherif Kallakut. Me mesfushorin fushkrujas që duket se ka mbyllur gjithçka në bashkëpunimin e tij me skuadrën rumune të Sepsi. 26-vjeçari është një “njohje” e vjetër e Martinit, që nga periudha ku të dy jepnin kontributin e tyre tek Teuta. Me teknikun shkodran që ka një vlerësim të madh për cilësitë e ish-futbollistit edhe të Laçit në kampionatin tonë.
Megjithatë “gara” për të siguruar shërbimet e Kallakut nuk duket aspak e lehtë. Pasi edhe skuadra të tjera kanë shfaqur interesim në drejtim të tij dhe kjo duket se vështirëson disi punën e Vllaznisë. Por, tek 9 herë kampionët e vendit nuk duan të ngelin të papërgatitur në një situatë të tillë dhe pa një “plan B”. Nga sa mësohet drejtuesit po studiojnë tregun në rajon dhe konkretisht në Kosovë dhe Mal të Zi.
Për të afruar në skuadër një mesfushor që mund të bëjë diferencën dhe japë skuadrës një tjetër ritëm në fushën e lojës. Pavarësisht se objektivi primari ngelet firmosja me Kallakun, në rast se nuk arrihet diçka e tillë, shkodranët patjetër do gjejnë një alternativë tjetër. Dhe momentalisht duket se tregu i rajonit është më i preferuari nga ana e drejtuesve të 9 herë kampionëve të vendit tonë.(www.shkodrasport.com)