Nga Gjergj KOLA
Ka mbushur 30 vjeç, por po përjeton ndoshta momentet më të mira të karrierës së tij. E kemi fjalën për portierin nga Vau i Dejës, Kleton Perndreu, i cili dy ditë më parë ka firmosur një kontratë me skuadrën e Superligës qipriote Akritas Chlorakas. Pas disa sezonesh shkëlqimi në Greqi, me ekipe të kategorisë së dytë, duke u shpallur madje edhe portieri më i mirë i kampionatit, për Kletonin ka ardhur oferta e duhur.
Dhe si rrjedhojë ai ka firmosur një kontratë njëvjeçare me ekipin qipriot dhe tashmë do të luajë kundër emrave të njohur të futbollit të këtij vendi si Apoel, AEL Limasol, Pafos, Olympiakos Nicosia, Apolon Limasol etj.
Historia e Kletonit në fakt është shumë interesante. Ai ka lindur më 8 janar të vitit 1995 në Vau Dejës dhe më pas bashkë me familjen e tij do të vendosej në Angli, vend ku dhe për herë të parë do të fillonte të merrej me futboll. Me të rinjtë është pjesë e ekipit Bristol dhe më pas kalon në Skoci ku luan në kampionatin U20 me ekipin e Hibernian.
Do të bëhej për pak kohë edhe pjesë e ekipit të parë të këtij klubi, përpara se në shkurtin e vitit t’i bashkohej Cristal Palace. Gjërat aty nuk i kanë shkuar mirë dhe si rrjedhojë kalon disa momente të vështira, por më pas arrin të bëhet pjesë e disa ekipeve të kategorive të ulëta të futbollit anglez si Welling Utd, Chelmsford, Worthing, Chatham e Carshalton Ath.
Nga këtu do të transferohej në Qipro, pikërisht tek skuadra aktuale Akritas Chlorakas, me të cilën do të luante tre vite e gjysëm. Vendos të transferohet në Greqi, aty ku do të bëhej pjesë fillimisht e ekipit Makedonikos me të cilin do të shpallej edhe portieri më i mirë i kampionatit. Ndërsa në sezonin e kaluar u transferua tek AE Larisa ku sërish ka spikatur me paraqitjet e tij dhe kjo ka bërë që drejtuesit qipriotë të Akritas ta kërkojnë me insistim të bëhet pjesë e skuadrës së tyre për sezonin e ri.
Dhe Kleton Perndreu me siguri që do të tregojë vlerat e tij më të mira edhe atje, kuptohet për të shfrytëzuar momentin e mirë që po kalon në karrierën e tij sportive.(www.shkodrasport.com)