Nga Uvil Zajmi

Ka qenë dhe mbetet numri 9 më i fortë në futbollin botëror. Gerd Myler, është ndarë nga jeta në moshë 75-vjeçare nga Alzheimeri, (më 16 gusht 2021) prej të cilit vuante prej më shumë se dhjetë vitesh. Lojtar i Bajernit të Mynihut, i kombëtares së Republikës Federale Gjermane, shënues absolut në tre botërorë, 1966-‘70-’74, kampion Europe 1972, kampion bote 1974 (autori i golit të dytë në finalen 2-1 ndaj Holandës), tri herë fitues i Kupës së Kampioneve me Bajernin e Mynihut dhe i katër titujve në Bundesligë.

Realizues në të gjitha mënyrat, që edhe sot flitet ende për të nga sportdashës, futbollistë, opinionistë, trajnerë, të pasionuarit, që janë të lidhur me imazhin e krijuar nga bomberi gjerman. Statistikat e karrierës së tij të shkëlqyer janë vërtet të frikshme: 563 gola shënuar me Bajernin e Mynihut në 605 takime dhe 68 gola në 62 ndeshje realizuar me kombëtaren gjermano-perëndimore, 5 prej të cilëve i ka ndaj Shqipërisë.

Gerd Mylerin kemi pasur fatin ta shohim nga afër në stadiumin kombëtar “Qemal Stafën”. Hera e parë me kombëtaren e Republikës Federale Gjermane, asokohe nënkampione e botës, (pas finales së humbur në “Uembli” të Anglisë në vitin 1966, Angli-Republika Federale Gjermane, 4-2), në vitin 1967, në Dortmund. Ka qenë 8 prill, e shtunë dhe luhej për eliminatoret Kampionatit Europian. Ndodheshim në Grupin 4 dhe ndeshja Republikës Federale Gjermane – Shqipëri përfundoi 6-0 për vendësit. Gerd Myleri ishte autor i katër golave: ‘5, ’23, ‘73, ‘85 (11 m.).

Ndërsa në ndeshjen e dytë, atë të 17 dhjetorit 1967, Gerd Myler nuk do të vinte në Tiranë dhe Gjermania Perëndimore do të eliminohej pas barazimit të bujshëm 0-0 në Stadiumin “Qemal Stafa”. Por, Myler do të jetë vendimtar në takimin e tretë, ndër më historikët e zhvilluar në kryeqytetin tonë. Ka qenë e mërkurë 17 shkurt 1971 dhe luhej për eliminatoret e Kampionatit Europian. Ndodheshim në Grupin 8 dhe ndeshja Shqipëri – R.F. Gjermane përfundoi 0-1. Shënues, i përhershmi Gerd Myler në minutën e 38-të.

Ka qenë një ndeshje përtej një 90-minutëshi, spektakolare, përballë skuadrës më të famshme të Republikës Federale Gjermane, në historinë e saj. Interesim i jashtëzakonshëm në Tiranë dhe kuriozitet i madh për të parë RFGJ-në e Gustav Majerit, Frans Bekenbauerit, Shnelingerit, Overatit, Netzerit, Mylerit, Hejnkesit dhe Grabovskit.

Të sistemuar në hotel “Dajti” në Tiranë, stërvitja u krye një ditë më parë në stadiumin “Dinamo”, e cila u ndoq nga mijëra shikues e kureshtarë. Kohë më vonë u përfol edhe për simpatinë e Mylerit me kamerieren e hotel “Dajtit”. U spekulua shumë mbi dashurinë e pamundur të, ish-sulmuesit gjerman me një bukuroshe shqiptare, por asnjëherë nuk u saktësua identiteti i saj. Flitej se quhej Hëna, por vetëm kaq.

Ndërkaq, ndeshja u luajt në një kohë të vrenjtur, tipike dimër, terren rrëshqitës dhe minuta fatale për kuqezinjtë, rezultoi e 38-ta: pas ekzekutimit të një faulli pa pretendime nga Netzer, brenda zonës, Myler i ka shpëtuar mbulimit të Bujar Canit e Gëzim Kasmit, dhe me të majtën, nga 12 metra pak diagonal, ka realizuar në gjysmëlartësi, në të djathtë të portierit Koço Dinella, nga porta veriore e stadiumit. 1 – 0, dhe në atë edicion, Gjermania Federale do të shpallej kampione e Europës.