Shkruar nga Endri ÇINARI
Para përballjes së dytë të “Final 4” ndaj Egnatias, te Vllaznia po punohet intensivisht për të gjetur formulën e duhur që do t’i mbajë kuqeblutë në garën për titullin kampion. Pas humbjes dhe paraqitjes pa shkëlqim ndaj Dinamos në javën e kaluar, trajneri Edi Martini pritet të ndërhyjë në formacionin titullar, duke bërë disa ndryshime të rëndësishme në të gjitha repartet.
Në portë nuk priten surpriza, pasi gjermani Pohls besohet se do ta nisë sërish nga minuta e parë. Gardiani ka qenë një nga pikat më të qëndrueshme të Vllaznisë gjatë këtij sezoni dhe stafi teknik duket se vazhdon t’i besojë eksperiencës dhe sigurisë së tij në sfida të tilla delikate.
Para tij, reparti difensiv do të jetë i detyruar të pësojë lëvizje, sidomos pas mungesës së Bajramit për shkak pezullimi. Gjini, Çelikoviç dhe Pusi pritet të formojnë vijën mbrojtëse, me Martinin që kërkon më shumë ekuilibër dhe agresivitet ndaj repartit ofensiv të Egnatias.
Ndryshime priten edhe në mesfushë, aty ku tekniku kuqeblu duket se do të freskojë krahët. Gurishta pritet të aktivizohet në të djathtë, ndërsa Mala mund t’a nisë takimin nga stoli, një zgjedhje që ka tërhequr vëmendjen pas rolit të rëndësishëm të mesfushorit në javët e fundit.
Në të majtë pritet të vendoset Jago, ndërsa në qendër Dros, Krymi dhe Kallaku do të kenë detyrën të mbajnë ritmin e lojës dhe të fitojnë betejën në mesin e fushës, aty ku pritet të vendoset shumë nga fati i ndeshjes.
Në repartin ofensiv, pavarësisht kritikave të shumta në javët e fundit, Balaj pritet të mbetet pika kryesore e sulmit të Vllaznisë. Sulmuesi do të kërkojë të rikthehet protagonist pikërisht në një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit. Këtë herë ai pritet të ketë më shumë mbështetje pranë zonës, me Dodajn që shihet favorit për t’a nisur nga minuta e parë në krah të tij, në një tentativë për t’i dhënë skuadrës më shumë forcë dhe lëvizshmëri në fazën sulmuese.
Përballja ndaj Egnatias konsiderohet vendimtare për ambiciet e kuqebluve, të cilët nuk kanë më hapësira për gabime nëse duan të qëndrojnë në garën për titullin kampion. Në kampin shkodran objektivi është i qartë: të merret minimalisht një rezultat pozitiv që do të mbante gjallë shpresat për kurorën e kampionit. Atmosfera në prag të sfidës mbetet optimiste, ndërsa tifozët presin një reagim të fortë nga skuadra në një moment kyç të sezonit.


