Tek Vllaznia merkatoja nuk është mbyllur akoma. Futbollisti i rradhës që mund të vishet kuqeblu është pikërisht mesfushori Cristian Dros. Ky i fundit aktualisht është pjesë e ekipit të Elbasanit, por duket se mes klubeve do të ketë një marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve dhe këtu përfshihet edhe kalimi i Antonio Delajt tek verdheblutë.
Po kush është Cristian Dros? Ai luan në rolin e mesfushorit difensiv, por mund të aktivizohet edhe në mbrojtje. Është 27 vjeç dhe ka patur një karrierë të pëlqyeshme, aq sa ka mbërritur edhe tek kombëtarja e Moldavisë. Thirrjen e parë në të e ka patur në vitin 2020, atëherë kur trajner i saj, ishte ish- drejtori sportiv i Vllaznisë Engin Firat. Me këtë kombëtare ka luajtur deri tani 16 ndeshje.
Dros pritet të mbërrijë nesër në Shkodër dhe t’i bashkohet ekipit, gjithmonë nëse gjërat nuk marrin një rrjedhë tjetër. Me shumë mundësi ai nuk do të jetë përforcimi i fundit i kuqebluve në merkato, të cilët presin që t’u bashkohet edhe Bismark.
Në këtë mënyrë duket se Vllaznia do të jetë “e blindur” në prag të startit të kampionatit duke treguar edhe njëherë tjetër ambiciet për të qenë një pretendente e fortë për fitimin e titullit kampion edhe në sezonin e ri.(www.shkodrasport.com)