Egnatia nuk ka shkëlqyer në këto javë të para të kampionatit dhe këtu nuk ka asnjë dramë, sepse është ende fillimi dhe skuadra ka pësuar jo pak ndryshime. Megjithatë, ka shenja se kampionët në fuqi nuk janë më skuadra e sezonit të shkuar.

Largimi i disa titullarëve të rëndësishëm, si Fernando, Sherri, Ibrahimoglu e ndonjë tjetër ka zbehur diçka nga forca e rrogozhinasve dhe kjo është kuptuar në disa ndeshje të deritanishme. Klubi ka bërë afrime dhe jo pak, por ata që kanë ardhur nuk kanë mundur të mbushin gropat e mëdha që u hapën nga largimi i emrave të përmendur më sipër.

ZHGËNJIMI NGA BLERJET – Nga gjithë lojtarët që janë bashkuar me Egnatian në merkaton e verës duhet thënë se vetëm mbrojtësi Alijev ka bindur. Ai ka luajtur titullar në formacionin e trajnerit Tetova, duke shfaqur një nivel konstant dhe duke treguar se i përgjigjet nivelit të kampionëve të Shqipërisë.

Të tjerët ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre dhe janë larg pritshmërive të klubit e tifozëve. Këtu bën përjashtim vetëm sulmuesi Bakajoko, i cili për shkak dëmtimi nuk ka luajtur dhe nuk mund të gjykohet. Më i shigjetuari është sulmuesi Dardan Vuthaj, i cili në 7 ndeshje ka shënuar vetëm një gol me penallti. Në Rrogozhinë janë mësuar dy sezonet e fundit të shohin sulmues rezultativë, ndërsa rendimenti i Vuthajt, të paktën deri tani, lë për të dëshiruar. Pastaj vjen Regi Lushkja, mesfushori që erdhi nga Tirana.

Kavajasi ka shënuar një gol, por në nivel loje nuk ka qenë aty ku duhet dhe disa ndeshje i ka nisur nga stoli. Serxho Ujka ishte një tjetër blerje e bujshme e kampionëve, por edhe ai, përveç një goli të shënuar në humbjen në Shkodër, nuk ka mundur të bëhet protagonist me Egnatian. Të tjerët janë lojtarë të rinj, që më shumë duken një investim për të ardhmen se elementë të rëndësishëm për skuadrën aktuale. Nga 10 golat që kanë shënuar rrogozhinasit në këto 7 javë, vetëm 3 janë “gola të blerë” në merkaton e verës, 7 të tjerët mbajnë firmën e lojtarëve të sezonit të shkuar.