Adrion Pajaziti ka bërë sot prezantimin para gazetarëve si futbollisti më i ri i Hajduk Splitit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, u zyrtarizuar dje si pjesë e klubit të njohur kroat i cili fitoi titullin kampion dhe po bëhet gati të marrë pjesë në kualifikueset e Ligës së Kampioneve me objektivin për të ecur sa më shumë në këtë turne.
“Jam me të vërtetë shumë i gëzuar dhe krenar që janë bërë pjesë e familjes së Hajdukut. Familja ime është nga Kosova dhe unë e njoh prej kohësh rëndësinë dhe madhështinë e Hajdukut. Mjafton të kalosh në rrugët e Splitit dhe në çdo mur ka një vizatim besnikërie dhe dashurie për Hajdukun, këtu të gjithë jetojnë për klubin.
Unë do të bëj gjithçka që t’i jap Hajdukut maksimumin tim dhe ashtu si shënova gol në rrjetën e “të bardhëve” në sezonin e kaluar, nga tani e tutje unë dua që të bëj këtë në anën tjetër. Kam ardhur në këtë skuadër që është e mbushur me të rinj dhe me cilësi. Sinqerisht, nuk ndjej ndonjë trysni, pasi kam besim te aftësitë e mia dhe futbolli është lumturi dhe kënaqësi për mua.
Unë kam folur me trajnerin Garsia, e di saktësisht se çfarë dëshiron nga unë në mesfushë. Në vitin e kaluar kisha më shumë liri në radhët e Goricës. Këtu theksi është te disiplina për të kryer detyrat e mia”, tha fillimisht Pajaziti.
Ai zbuloi më pas se numri që kishte zgjedhur për fanellën, ai 4, ishte në nderim të idhullit të tij, i cili është ish-futbollisti kroat, Ivan Rakitiç, i cili për më tepër ka qenë pjesë e Hajduk Split.
“Po, numri 4 në fanellë është për shkak të Ivan Rakitiç, idhulli im i fëmijërisë në periudhën kur ai ishte një yll te Barcelona e madhe dhe ne luajmë në të njëjtat pozicione në fushë. Unë kam folur me të kur jemi takuar në ndeshjet mes Goricës dhe Hajdukut, ashtu si edhe tani. Këshillat e tij padyshim e bënë më të thjeshtë vendimin tim për të ardhur te Hajduku”, tha Pajaziti në konferencën e tij të prezantimit.