Në këtë 28-vjetor të rrallë, doemos para të gjithëve na shfaqet Dom Simon Jubani, njeriu i cili i pari blatoi meshën e parë në rënie e sipër të regjimit komunist (1990) në Kapelën e varrezave të Rrmajit në Shkodër mbasi kishte çuar gati gjysmën e jetës në burgjet kriminale politike të Shqipërisë komuniste.

Për fatin dhe nderin e sportit shqiptar, Dom Simon Jubani ka qenë një futbollist i mirënjohur në mjedisin sportiv të Shkodrës.Lojtar i Spartakut dhe Punës së Shkodrës (Vllaznia), madje pjesëmarrës interesant i Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë qysh më 1951.

E kur flasim për futbollistin Simon Jubani nuk nënkuptojmë një futbollist episodik, por një pjesë- marrës të pandërprerë në të paktën 6 Kampionate Kombëtare të Shqipërisë. Për fat, Simon Jubani është edhe një prej futbollistëve, të cilët luajtën ndeshjen e parë, atë të 1 majit 1952 në ditën e përurimit të stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës: Dinamo e Shkodrës-Spartak i Shkodrës.

Kemi ndërkaq edhe dokumentin pamor, foton historike ku janë rreshtuar të dy ekipet para ndeshjes, foto të cilën na e dhuroi Prof. Vehib Bleta, një nga lojtarët e Dinamos vendëse në atë ndeshje. I pesti nga e djathta është Simon Jubani si titullar i Spartakut (skuadra me fanella me vija vertikale).

Ai është dy vjet me radhë titullar i Spartakut të Shkodrës në dy Kampionate Kombëtare: atë të vitit 1951 dhe atë të vitit 1952, ky i fundit me plot 20 skuadra pjesëmarrëse. Ka qenë e bujshme sidomos ndeshja e tij, ajo Puna e Kavajës (Besa) – Spartak i Shkodrës 1-3 e 13 prillit 1952 që shtangu publikun e Kavajës me dy gola spektakolarë të Simon Jubanit, ndeshje që aq fort ndikoi për rënien e skuadrës së shquar të Kavajës në Kategorinë e Dytë.

Çka shoqërohet me kualifikimin e këtij Spartaku në 1/4-at fundore të Kupës së Shqipërisë, që asokohe u quajt diçka vërtet e bujshme. Më mbas, ai do të jetë titullar i Punës së Shkodrës deri përtej vitit 1956, një sulmues i krahut tejet i shpejtë, teknik dhe i sakrificës, kur kujton se synime të tjera jashtësportive po mbushnin jetën e tij si një kundërshtar në potencë i regjimit, që do të kulmonte me qëndrimin e të tij të rrallë burrëror, madje qysh në gjyqin e pamëshirshëm.

Kam qenë spektator i ri i stadiumit “Vojo Kushi” të Shkodrës dhe nuk e harroj assesi futbollistin Simon Jubani. Tek e vona, kur ra regjimi, kam pas nderin ta kem disa herë në zyrën time të kryeredaktorit të gazetës “Sporti” (“Sporti Shqiptar”) dhe më kanë mbetur të pashlyeshme bisedat e tij të këndshme, treguese, kujtimet dhe diskutimet e çmueshme.

Më vinte mirë që shpesh i krijoja mundësinë e lidhjeve telefonike me jashtë, në rifillimet e tij të pakursim në shërbim të madh të ringjalljes së besimit në Shqipëri. Po aq më vinte mirë që një ndër miqtë më të ngushtë dhe më besnikë të tij, qysh pa rënë regjimi, ishte djali im i axhës, i paharrueshmi Astrit Dizdari, i cili i gjendej pranë, kur shumëkush ende nuk guxonte. Mû në ndarjen nga jeta vitet e fundit të Astritit, ka qenë edhe takimi im i fundit me Dom Simonin.

Kjo intervistë e rrallë i përket 27 marsit 1992 duke marrë një pjesë të mirë të faqes së parë dhe të dytë të “Sportit” të atëditshëm. Them e rrallë sepse përmbajtja e saj, sa historike aq edhe aktuale, sa filozofike për mendimin sportiv, po aq edhe për ecurinë e Shqipërisë, sa një domethënie e politikës sportive gjatë regjimit në Shqipëri, po aq në vlerën dhe detyrimet e sportit në demokraci, kjo intervistë me Dom Simon Jubanin e para gati 24 vjetëve, kur sapo po lindte një Shqipëri tjetër, edhe për sot e kësaj dite është një model.

Një model gazetarie për kah stili, kompozicioni dhe informacioni që jep. Model për kah humanizmi dhe social-politika sportive e kohës që shtjellon. “Edhe sporti ka nevojë për qetësi shpirtërore, paqe të brendshme, demokraci!”, kështu tha Dom Simoni. A ia kemi arritur?…

Mû për këto, them se ribotimi i saj në këto ditë të këtij 28-vjetori të madh që aq fort i përket sidomos Dom Simon Jubanit, përveçse një kujtesë e vyer, është dhe një nderim dhe respekt i pamasë që i blatohet atij prej mjedisit sportiv shqiptar, të cilit ai i kushtoi disa vite të rinisë së tij. Mos harroni!
Besnik DIZDARI