Opinion nga EDUARD ILNICA

Në fakt, kjo temë është trajtuar disa herë, por më tepër do të shprehem për mungesën që kanë klubet për të ndërtuar qendrat stërvitore vetë dhe jo nga biznesmenë të jashtëm thjesht për të fituar. Për periudhën përgatitore të skuadrave jemi mësuar të shohim se si ekipet shqiptare gjenden në vështirë të madhe për të kryer stërvitje dhe akomoduar, në mënyrë që të jetë sa më profesionale.

Ekipet që kanë buxhete të mjaftueshme, si Flamurtari, Skënderbeu, Vllaznia, Tirana apo ndonjë tjetër, kanë zgjedhur shpesh jashtë vendit të stërviten, ndërsa verës thuajse të gjithë ekipet “shtegtojnë”, madje edhe ekipet pretendente të Kategorisë së Parë, teksa jemi mësuar të shohim Lushnjën apo Besëlidhjen në Ulqin. Mjafton të shkosh një ditë në kompleksin sportiv të Dinamos dhe aty do të shohësh dyndje të ekipeve. Aty gjen Kastriotin, Kukësin, Partizanin, Dinamon, pa fund ekipe moshash, por nuk çudi edhe ekipe të tjera.
Më tutje, te kompleksi “Skënder Halili” gjen Tiranën që stërvitet, por edhe Tërbunin. Por nuk është vetëm në Tiranë kështu, edhe në Kavajë ka dyndje, meqë është ndërtuar një fushë e re me bar sintetik. Shumë skuadra sajohen aty-këtu, ndërsa kur moti tërbohet, stërvitja nuk është aq cilësore, pasi terrenet përmbyten, nuk gjendet një fushë e mbyllur apo palestër, etj.
Dhe e gjitha kjo ndodh sepse nuk ka një vizion të qartë për terrenet, ndërtimet e qendrave sportive, komplekse, ku jo vetëm ekipi mund të stërvitet, por edhe mund të nxirren edhe fitime madje, teksa mund të përdoren jo vetëm për futbollistët profesionistë, por edhe për moshat, amatorë të futbollit dhe të sporteve të tjera, turistë, etj.
Shumë presidentë kanë vite të tëra, madje një pjesë kanë kaluar dekadën në krye të klubeve, duke blerë edhe aksione dhe zotëruar një pjesë të mirë të aseteve. Nuk është rasti të përmend emra. Por nëse ata i janë futur tashmë botës së futbollit (i falënderojmë për kontributet e tyre për të mbajtur gjallë këtë lojë në Shqipëri), ata s’iç duket, kanë harruar kryesoren, investimin pikërisht të “milanelove” të vogla pranë klubeve të tyre.
Pothuajse çdo rreth ka vendet e tyre të freskëta (flas për verës). Po marr shembull Shkodrën, Vlorën dhe Korçën dhe Tiranën, kjo edhe për arsyen se janë ekipe tradite dhe kërkojnë trofe. Skënderbeu është në Portugali, ndërsa Flamurtari në Turqi.
Mirë kanë bërë tani në dimër, sepse këtu ka qenë e pamundur të stërviteshin normalisht, plus ekipe të tilla kanë nevojë për miqësore të forta, që i gjejnë gjetkë. Por presidenti Gjika, qoftë edhe me një biznesmen ortak, duke qëndruar kaq gjatë, fare mirë mund të ndërtonte një kompleks në Llogara.
Jam i sigurt që do jepte produktet dhe shpenzimet do të shlyheshin shumë shpejt, pasi është një zonë që është e rrahur me turistë. Ky kompleks të futej në asetet e klubit dhe, nëse nesër largohej Gjika, do ishte investim. Gjithashtu, Vllaznia në Razëm mund të bënte të njëjtën gjë. Skënderbeu fare mirë në Voskopojë e kështu me radhë, Tirana në Dajt e ndonjë tjetër gjetiu.
Në këto komplekse apo qendra stërvitore, të kishte 2-3 fusha, një kalçeto të mbuluar, palestër, pishinë, etj, pra të funksionin si qendra rehabilituese sportive, në mënyrë që të shfrytëzoheshin edhe nga ekipet që janë afër. Në Llogara bie fjala mund të stërvitej edhe Vlora me Himarën apo Saranda, në Razëm të stërvitej Ada, Veleçiku, Tërbuni, etj. Pra, investimi nuk do të ishte vetëm për klubin mëmë, por do t’u shërbente disa ekipeve, kuptohet, kundrejt pagesës, por jo të madhe, në mënyrë që të ishte e përballueshme. Por mos harrojmë aty do të vinin menaxherë, familjarë të futbollistëve, tifozë, pse jo, pushues apo profesionistë të sporteve të tjera. Duke paguar, të ardhurat do të shtoheshin dhe për një periudhë shumë të shkurtër investimi do të kthehej mbrapsht, pse jo, do të kishte fitime. Ndoshta këto do të bëhen kur klubet të privatizohet tërësisht, megjithatë, ndonjë edhe mund të kishte nisur të ndërtonte komplekse të tilla…