Zhoze Murinjo është shfaqur këtë fundjavë si i ftuar në pistën e “Silverstone”, ku të dielën do të zhvillohet Çmimi i Madh i Britanisë së Madhe në Formula 1.
Në një prononcim për “Sky Sport”, tekniku portugez ndau disa mendime të rëndësishme, që nga çështje personale e deri tek aktualiteti në botën e futbollit, duke mos i kursyer ironitë karakteristike që e bëjnë gjithmonë protagonist.
“E vetmja arsye pse mund të mungoj në Itali është se askush nuk e fiton më Champions-in atje”, deklaroi ai me një buzëqeshje të nënkuptuar, duke iu referuar sukseseve të kaluara të tij me Interin në vitin 2010. Në fund, nuk mungoi një koment për Interin dhe trajnerin e ri, Kristian Kivu, ish-mbrojtësi që ishte pjesë e skuadrës së tij legjendare që fitoi tripletën.
“Kivu është një nga ‘fëmijët’ e mi. Ka mësuar nga eksperienca ime, por tani është ndryshe. Një gjë është të jesh lojtar i madh dhe tjetër të jesh trajner i madh. Shpresoj t’i ecë mirë, sepse ka guxim dhe personalitet. E vetmja gjë që i uroj, është që të mos fitojë tripletën! Le të fitojë Champions-in, kampionatin dhe Kupën e Italisë, por jo të tria bashkë”, tha Mourinjo me humor.