FSHF-ja është në pritje të përgjigjes zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë për rifillimin e futbollit. Sinjalet janë më shumë se pozitive, derisa u vendos që më 18 maj do të rinisë stërvitja dhe 3 më qershor kampionati. E megjithatë, pikëpyetjet për zbatimin me rigorozitet të protokollit që është përpiluar vazhdojnë të jenë prezente.

Për këtë motiv “Panorama Sport” kontaktoi me një nga pjesëtaret e grupit të punës së federatës, mjeken imazheriste Arjana Sina, e cila rrëfen me detaje për gjithçka do të ndodhë. Ajo sqaron se dushet do të jenë kategorikisht të ndaluara dhe arsyen se përse zgjodhën që të mos kryheshin tamponët. Përtej masave që janë vendosur, doktoresha saktëson se “lufta” me këtë virus mund të luftohet nga vetë futbollistët, ndaj bën apel për ndërgjegjësim.

Çfarë masash konkrete mund të merren për zhvillimin e një stërvitjeje apo një ndeshjeje, a ka një plan të detajuar masash?

Protokolli është shumë i detajuar dhe me masa konkrete. Modelin e kemi marrë prej kampionatit gjerman, sigurisht i përshtatur me kushtet tona. Është i ndarë në tri protokolle: për stërvitje individuale, në grup dhe për ndeshje.

I jeni referuar modelit gjerman, e megjithatë kontrasti me vendin tonë dihet. Ku qëndron përshtatja?

Kushtet janë të aplikueshme kudo, por detajet lidhen vetëm me kushtet e jetesës së futbollistëve. Janë gjëra që nuk kanë të bëjnë as me federatën e as me ne si mjekë. Tjetër jetë bëjnë andej e tjetër stil jete kemi këtu. Nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh për aplikimin e kontrollit higjeno-sanitar, pasi kjo na duhet për momentin.

Flitet për distancim fizik e social, por sa i realizueshëm mund të jetë në futboll kur veset e kahershme të lojtarëve njihen, si tërheqja e një bluze apo konsumimi i ujit në një shishe e pështyma…?

Në të gjithë botën, pavarësisht masave të marra dhe ndalesën që janë bërë, ajo me të cilën po luftohet dhe është më e suksesshmja, mbetet ndërgjegjësimi. Sado të përpiqemi të ndalojmë situata të ndryshme, të parashikuara apo jo, ndërgjegjësimi e mban njeriun. Po të shohësh vendet skandinave njerëzit ruajnë veten, pasi kufizimi nuk është edhe aq i fortë. Për mua pikë e fortë nuk është vetëm përpilimi i një protokolli dhe përpjekja për ta zbatuar atë, por pikërisht ndërgjegjësimi. Nëse e dimë se çfarë rrezikojmë, atëherë të jeni të sigurt që edhe protokolli do të zbatohet.

Me rinisjen e stërvitjes, do të ketë grumbullime të kushtëzuara të ekipeve?

Jo, nuk do të ketë, përveçse para ndeshjeve. Thjesht do të kihen parasysh distancimi, dezinfektimi e të tjera masa që tashmë njihen.

Është përmendur edhe shmangia e dusheve…

Në stërvitjet kolektive, e kemi përcaktuar që dushet do të kryhen në shtëpi.

Sa e dëmshme mund të jetë për një futbollist që të qëndrojë me djersë derisa të shkojë në shtëpi?

Në makinë do të ikin, e para punës, e jo në këmbë. Nuk ka asnjë dëm, për aq kohë sa do të hedhin diçka krahëve. Ka plot masa parandaluese për ftohjen. Dëmi që sjell rregulli i dushit, është më i vogël se ai që mund të sjellë infektimi i mundshëm.

Është e ndalur edhe festa pas një goli apo fitoreje, por si mund të përmbahen emocionet në atë moment?

Jetojmë në një botë tjetër dhe duhet të përshtatemi. Ashtu si u mësuam duke mos i dhënë dorën apo përqafuar njerëzit e dashur, lojtarët do mësohen që të mos festojnë. Ndonjëherë edhe mund të çedojë situata, por kjo pjesa e ndryshimeve do të kapë sigurisht edhe futbollin. Nuk i shpëtojmë dot.