Federata Shqiptare e Futbollit ka shpërndarë sot në klube protokollin e sigurisë higjeno-sanitare sa i përket vijimësisë së këtij sezoni në pritje që shteti shqiptar të hapë dritën e gjelbër për vijimin e edicionit, Në dokumentin që u ka mbërritur klubeve, një nga pikat më të rëndësishme është ajo sa i përket asaj që do të ndodhë në rastin kur një lojtar rezulton pozitiv ndaj COVID-19.

VIP Sport ka siguruar një kopje të protokollit dhe në të tregohet qartë se udhëzimi i pare i FSHF është ai që emri i personit të mos bëhet publik në media.

“Në rast të një testi pozitiv me COVID-19 te një lojtari ose pjestar të stafit teknikt, nuk duhet të bëhet raportim i menjëhershëm në media por personi i prekur duhet të izolohet menjëherë dhe personat që ai ka patur kontakt duhet të testohen”, shkruhet në këtë protokoll.

Më pas, ai vazhdon me shjegimin se nuk është e nevojshme që të karantinohet i gjithë ekipi, por vetëm personi që shfaq simptomat. Shqetësim në këtë aspekt është ai që skuadrat të sigurojnë një numër të mjaftueshëm lojtarësh për të përballuar sezonin.

“Nuk është e nevojshme që i gjithë ekipi të karantinohet. Autoritetet shëndetësore përkatëse vendosin për karantinat e mundshme në grup. Sidoqoftë, si masë paraprake, klubet duhet të “sigurojnë një numër të konsiderueshëm lojtarësh në finalen e sezonit””, shpjegon protokolli që u është shpërndarë sot klubeve e që pret miratimin nga Ministria e Shëndetësisë. /vipsport/