Opinion nga RAMADAN BIGZA

Ndokush mund te thote se çfarë lidhje ka reforma territoriale me futbollin tonë. Pikërisht këtë dua të sqaroj. Dua të them pra se reforma nuk është vetëm peng i politikës, nuk është as e qeverisë dhe as e opozitës.

Nuk e di nëse “shpikësit” e kësaj reforme e kanë menduar këtë punë. Gjithashtu nuk e di nëse Federatës Shqiptare të Futbollit i ka shkuar ndërmend kjo punë.Deri tani as kam parë dhe as kam dëgjuar ndonjë reagim.Thënë troç , ndarja e re territoriale zhduk automatikisht mjaft ekipe të kategorisë së parë e të dytë, që i kanë mbajt bashkitë që suprimohen. Natyrshëm lind pyetja: Po FSHF cfarë do të bëjë me kampionatet që përgjysmohen. A nxjerr ky moment domosdoshmerinë e privatizimeve totale të klubeve. Çfarë rrugëzgjidhje do të rekomandojë institucioni ynë i futbollit për të dalë nga kjo situatë apo do të presë zhvillimin e zgjedhjeve lokale për të reaguar?
Ndërsa ndarja territoriale tashmë është një fakt i kryer, duke i vënë vulën mendimit se në të gjithë vendin do të ketë 61 bashki. Problemi është se sa skuadra futbolli mund të administrojë një bashki, kur deri tani mezi ka administruar një skuadër të vetme. Ndaj me kushtet e vështira që po kalon vendi është krejtësisht e pamundur që një bashki të mbajë nën qqetull 2 apo larg qoftë edhe 3 skuadra.
Pikërisht për ti ardhur sadopak në ndihmë institucionit tonë të futbollit por edhe klubeve që preken nga kjo reformë po e trajtoj këtë problem tani, që të mos kujtohemi në verë kur çdo gjë do të bëhet punë e kryer.
Ndarja e re territoriale zhduk automatikisht mjaft ekipe të kategorisë se parë e të dytë që i kanë mbajtë bashkite që suprimohen. Kësisoj ndikimi në futbollin shqiptar do të jetë tepër i madh.Nuk e di se çfarë do të bëjë FSHF me kampionatet qe pergjysmohen. Por një rrugë për mendimin tim është zgjidhja e vetme: Privatizimi total i klubeve.Sigurisht që ky është një mendim i imi, realizimi i të cilit kërkon që tani marrjen e masave të domosdoshme, që në fund, pra pas 6 muajsh të mos ndodhemi para situatave të padëshiruara. Futbolli është një sport masiv. Ai luhet si në fshat ashtu edhe në qytet. Si në qytetet e mëdha ashtu edhe në ato të vegjël. Shembulli i Kukësit, Laçit apo edhe i skudrave të tjera, që gjatë viteve kanë qenë protagonistë të kampionateve tona kombëtare flet qartë për këtë.
“Për të mos iu lodhë me pyllin e parashikimeve” siç shkruante dikur i madhi Anton Mazrreku, po flas më konkretisht. Përshembull Bashkia e Shkodrës do të ketë në përbërje të saj edhe Velipojen. Pra, skuadra e Adës mbetet pa komunen përkatëse që e mbështeste financiarisht.Përmenda Adën sepse pikërisht këto ditë në media shkruhej se në pjesën e dytë të sezonit , pra është fjala për këtë sezon, duket se Ada do ta ndryshojë tërësisht fytyrën e saj. Ekipi velipojak po bën një merkato të suksesshme. Gjatë ditëve të fundit në skuadër janë afruar disa lojtarë të rëndësishëm.Po a është parashikuar që ky ekip të mbijetojë e të mos zhduket si një pikë që i takon një harte që kanë bërë politikanët?
I njëjti problem është edhe me Mamurrasin. Skuadra që po lufton për tu bërë pjesë e kategorisë superiore ka rrezik që të mos i gëzohet ndoshta suksesit më të madh në historinë e tij. Dhe kjo sepse edhe komuna e Mamurrasit suprimohet, duke u bere nje bashki e vetme me Laçin. Natyrshëm lind pyetja: Cilen skuadër do të mbështesë financiarisht bashkia e re, Laçin apo Mamurrasin?, sepse që të dyja mund të jenë pjesë e kategorisë superiore.
E njëjta situatë me Krujën e Fushe-Krujën. Iliria, skuadra e sotme, mbetet pjesë e bashkisë së Krujës . Po cilen skuadër të do të mbaje bashkia e re, Ilirine, apo Kastriotin?.E ky problem nuk është thjeshtë në disa skuadra veriore, megjithëse këtu, ndoshta edhe për arsye politike, ka goditur më shumë sëpata e saj. Pjesë të bashkisë së Kavajës do të jenë edhe Kavaja por edhe Rrogoazhina. Por ke do të mbështesë kjo bashki, Besën apo Egnatian?
Kjo pra është lidhja që ka reforma territoriale me futbollin tonë. Ajo suprimon skuadra që deri sot kishin pas tyre bashki, ndërsa pas 21 qershorit, kur të mbahen zgjedhjet vendore, do të mbeten si peshku pa ujë. Me kushtet e vështëra që po kalon vendi është krejtësisht e pamundur që një bashki të mbajë nën sqetull 2 apo larg qoftë edhe 3 skuadra.
Futbolli është padyshim sporti më i dashur për të gjithë. Ai nuk njeh kufi, luhet në fshat ashtu siç luhet edhe në qytet. Përvoja ka treguar se mjaft futbollistë të ardhur nga zona rurale janë bërë pjesë jo vetem e ekipeve të kategorive të ndryshme por kanë shkëlqyer edhe me ekipin kombëtar. Nuk dua të zgjatem shumë me emra por do të përmend dy prej tyre, qoftë edhe si homazh për at kontribut që kanë dhënë gjatë karrierës së tyre sportive. Hajrullah Leka erdhi nga Vraka dhe u bë i pazëvendsueshëm tek Vllaznia e Shkodrës dhe Lefter Millo , që erdh nga Dervicani i Gjirokastrës dhe i u bë i pazëvendësueshëm, tek Luftëtari, Partizani dhe tek Larisa.