Nga Endri Çinari
Formacioni i Vllaznisë pritet të ketë ndryshime në ndeshjen e kthimit ndaj Vikingur në Islandë, duel i vlefshëm për turin e dytë të Conference League. Performanca e disa elementëve në ndeshjen e parë, por edhe rikthimi i të gjithë titullarëve, duket se gëzon shumë trajnerin Martini. Me shkodranin i cili do ketë mundësi zgjedhjeje të shumta dhe nga mënyra se si do kërkojë ta interpretojë lojën do vendosë edhe titullarët dhe formacionin.
Gjithçka mund të nisë me ndryshime nga porta, ku në ditét e fundit, në proceset stërvitore është shikuar që si protagonist është preferuar Leon Phols. Me gjermanin e ardhur së fundmi tek Vllaznia që mund të lërë në stol Jukajn për duelin e kthimit.
Një emër potencial që mund ta nisë nga minuta e parë ndeshjen në Islandë është Melos Bajrami. Mbrojtësi nga Kosova u hodh në fushë në pjesën e dytë në 90 minutat e para të zhvilluara në Shkodër. Ku jo vetëm shënoi golin e barazimit, por dha edhe një siguri në prapavijë. Duke u imponuar me shtatlartësinë e tij edhe ndaj kundërshtarëve nordikë. Nëse mëngjërashi e nis nga minuta e parë, nga mbrojtja me 3 “largohet” Gurishta.
Me 30-vjeçarin që do kthehet në pozicionin e tij natyral, atë të krahut të djathtë. Dhe në këtë mënyrë futbollisti që do përfundonte në stol për kuqeblutë do ishte Arsid Kruja. Por, jo vetëm në mbrojtje priten ndryshime, pasi edhe mesfusha do ketë ndonjë “modifikim”. Performanca e Tafilit në pjesën e dytë ndaj Vikingur duket se ka bindur. Dhe 20-vjeçari mund të jetë kandidat kryesor për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë në Islandë.
Ku pritet të ketë edhe përkrahjen e Krymit dhe Males dhe pavarësisht kthimit të Qatos nga dëmtimi, duket shumë e vështirë që kuçovari ta nisë nga fillimi duelin e kthimit. I vetmi repart që duket se nuk do preket është sulmi, me dyshen Balaj-Bismark që do prezantohen sërish si titullarë ndaj Vikingur.