Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia ka nisur përgatitjet për Kupat e Europës dhe merkatoja mbetet në qendër të vëmendjes. Klubi shkodran është duke testuar edhe disa futbollistë të rinj dhe një ndër ta është edhe mbrojtësi Albion Kurbasha.
20-vjeçari shkodran është duke kërkuar një hap të ri në karrierën e tij futbollistike dhe ai, prej pak ditësh, është në provë te nënkampionët e vendit, teksa kërkon të bindë trajnerin Edi Martini. Kurbasha luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe vjen nga Suedia, atje ku sezonin e kaluar, ai ka qenë pjesë e FC Nacka.
Kurbasha shpreson që përmes kësaj prove tek Vllaznia, të arrijë të sigurojë një kontratë që do ta çojë drejt futbollit profesionist në nivele më të larta.
Stafi teknik i Vllaznisë, me në krye trajnerin Edi Martini, pritet të japë një vlerësim përfundimtar mbi të ardhmen e mbrojtësit në ditët në vijim, ndërsa vetë Kurbasha është i vendosur të shfrytëzojë këtë mundësi për të bërë hapin e madh në karrierë dhe për të veshur fanellën e një prej klubeve më historike në vend.(www.shkodrasport.com)