Nga BESNIK DIZDARI

Prolog

E me titullimin “epokë” këtu po përdor shpjegimin e parë që i jep kësaj fjale i famshmi fjalor “Zingarelli”, pra si nënkuptim i një periudhe historike të një qëndrueshmërie të gjatë të ngjarjeve të shquara që nuk shuhen. Besoj se nuk gaboj kur kujtoj se Ramazan Rragami është i vetmi futbollist shqiptar, madje sportist, të cilit i ka kushtuar një libër një shkrimtar. Është dramaturgu dhe shkrimtari i shquar i Shqipërisë, Fadil Kraja (1931- 2021), i cili në 2014 ka botuar librin.

“…Faleminderit Zan Rragami” (Ese panagjerike). Është një libër jo voluminoz. Vetëm 160 faqe. Mirëpo, respekti për këtë punim dhe kushtim të Fadil Krajës ndaj futbollistit, për ne mitik, e po të duash thuaji edhe legjendar për Shqipërinë, siç ka qenë Ramazan Rragami (1944 -2022), të shtohet tejet kur lexon këtë libër, pa dyshim libri më origjinal i shkruar prej një shkrimtari për një futbollist në Shqipëri.

Fadil Kraja nuk ka marrë përsipër të shkruajë në imtësi jetën e Zan Rragamit të madh, siç ai është thirrur përherë. Ai ka marrë përsipër të shprehë, të shpalosë përmes jetës së tij sportive, botën e brendshme, karakterin, talentin e veçantë, arritjet e rralla të Zan Rragamit.

Ndërkaq, libri ka edhe një lidhje me mua, sepse më është kërkuar të shkruaj parathënien. Tash në këtë histori timen për Rragamin që po shkruaj kur sapo kanë kaluar veç pak muaj nga 60-vjetori i daljes së parë të tij në fushën e ndeshjeve të kampionatit kombëtar të Shqipërisë, po e filloj duke ribotuar këtu këtë parathënie, si një prolog për këtë “dossier” kushtuar atij:

Parathënie

Simbolika e pashlyeshme e universalizmit të Ramazan Rragamit

Duket disi e çuditshme, por ndonëse thuajse jam moshatar me Ramazan Rragamin, më parë se atë, kam njohur babën e tij, Brahim Rragamin e palodhur. Kjo ka ndodhur sepse ai punonte me dy axhat e mi Malo Dizdari e Fahri Dizdari. Kam qenë shumë i vogël dhe dëgjoja që thonin se Brahim Rragami është shumë i fortë. Si fëmijë unë ate e përnjinjisoja me vetë forcën njerëzore. Çka me gjuhën e sotme të gazetarisë, si padashur, do ta përcaktoja edhe si sportive. Nuk do të vononte dhe shpejt unë njoha Ramazan Rragamin – pjesë e brezit të fëmijërisë e rinisë sime dhe më dukej se ai trashigonte forcën e babës së vet.

Nuk e di se çka mendon Zani sot për këte që po kujtoj unë, por mesiguri gênet kanë bërë punën e tyre. Dhe ndonëse ai pati një fizik të rrallë, një forcë atletike që e shpaloste plot elegancë, për çudi, rrallë i përmendej forca apo përgatitja fizike, siç i thonë trajnerët. Më shumë se gjithçka atij i përmendej teknika, eleganca, pasimi, gjuajtja, horizonti taktik i lojës, universalizmi i futbollit të tij.

Kjo ngaqë forca e pazakontë e fizikut të tij skulptural, që për një çast të dukej se ishte diçka e planit të dytë, në të vërtetë ishte mveshja e mbrendshme, si të thuash, motorri që vinte papushim në lëvizje gjithë agregatet e tjerë teknikë tejet shprehës. Kurrë nuk do të më shkonte ndër mend në ato vite ’50 të Shkodrës, se do të vinte një kohë, që do të ishte viti 1983, që unë në rolin e gazetarit dhe Zani në atë të trajnerit do të bashkoheshim në një udhëtim të bujshëm gjerman për t’u eliminuar “Shpresa” e Gjermanisë prej asaj të Shqipërisë. – vepër e madhe e trajnerit Ramazan Rragami dhe ndihmësit të tij Petraq Ikonomi. Ata – trajnerët e skuadrës së tyre.

Unë – kronisti i tyre! Edhe ëndërrat më të paparashikueshme, nuk mund të mbërrinin në gjithë këte epikë futbolli, që në rolin e gazetarit do të më përfshinte edhe mua. Siç kam shkruar kohët e fundit, si i vetmi gazetar shqiptar i pranishëm, teksa kisha humbur midis tufës së gazetarëve gjermanë, merrej me mend që nuk i tërhiqja vemendjen askujt. E kisha lënë bllokun tim të shënimeve i shtangur tejet se si po më ndodhte që të isha dëshmitar i një ngjarje sportive të tillë, ku protagonist ishte një përfaqësues i brezit tim, i fëmijërisë sonë të vështirë, të Shkodrës asokohe të drobitur.

Çuditesha edhe më fort kur kujtoja si në mjegull, ndeshjet e lagjeve tona ku ne admironim një Rragam nja një vit më të vogël, por pa parashikuar asgjë, sepse nuk ishim as Xhelal Jukë apo Zyhdi Bakallë – trajnerë përzgjedhës të famshëm të kohës dhe me kontribute për të cilat asgjë nuk u është blatuar sot e kësaj dite. Pa parashikuar pra, se ky bashkëshok i ynë, i quajtur Ramazan Rragami, do të bëhej një futbollist aq i madh, sendërtuesi i parë i asaj që do të ishte treshja legjendare për ne, ajo Rragami – Zhega – Bizi.

Por të ëndërroje në ato vite ’50, aty në aneksin tejet të thjeshtë, të Stadiumit “Vojo Kushi”, se do të vinte një kohë që ky Rragam “i vogël”, do të përjetohej si një sfidues i madh i një Gjermanie, kjo nuk mund të ishte tjetër veçse një përrallë. Mirëpo ngandonjëherë, ndodhka që përrallat të shndërrohen në të vërtetë…

Nuk mund ta harroj kurrë atë mbrëmbje saarlandase të vjeshtës gri të Trierit 1983. I rrallë, krejt i rrallë, mjedisi i Konferencës së shtypit e cila kishte një protagonist të vetëm: trajnerin Ramazan Rragami. E kam të pashlyeshme fytyrën e tij, disi me një vështrim paksa të shtangur, kurrsesi të hutuar, por jo pa emocione, të trajnerit Ramazan Rragami. Nga zëri i tij kam fiksuar këto rradhë që për asokohe nuk mund të them se ishin krejt të lira e çliruese, megjithate: “Ka vlera të mëdha suksesi, – tha trajneri shqiptar, – se fituam kundër një skuadre të fortë.

Ndonëse kjo fitore nuk është gjithçka. Mendoj se vendosi kolektiviteti. Mendoj se kualifikimi na përkiste ne. Skuadra tregoi një përgatitje të lartë fizike e taktike. Sigurisht edhe mund të ndodhte të pësonim një gol tjetër, por dhe duhej të kishim shënuar ne përsëri”. Gazetarët gjermanë e shihnin me admirim trajnerin shqiptar. Natyrisht ata e kishin të vështirë të bindeshin aq shpejt, që një “djalë” i panjohur (Rragami ishte 39 vjeç) i cili vinte prej vendit më të prapambetur dhe më të “flakur” tej të Europës, që ishte Shqipëria e vogël, për më tepër ngushtësisht komuniste, të largohej kësisoji fitimtare nga Gjermania! Ramazan Rragami e ka lënë sallën e shtypit të Stadiumit “Mozselstadion” të Trierit, i ndjekur prej syve të gazetarëve gjermanë si një sfidues i vërtetë.

Sepse përveç të tjerave, ai ishte trajner i një Shqipërie të vogël e të vuajtur, i një Shqipërie të izoluar deri në skaj dhe i një futbolli modest, po që atë mbrëmbje të Saarës, ndjehej një Europian i klasit më të lartë. Ka qenë 19 nëntor 1983. Shqipëria kishte vendosur në një ditë të futbollit ndërkombëtar, një “rekord kombëtar” të sajin, krejt origjinal, të vetvetishëm, në fund të fundit, një “sui generis” që kërkon gjithnjë spjegime.

Një “rekord” që nuk është thyer ende as sot, mbas gati 40 vjetëve. Austria, Turqia dhe mbi të gjithë Gjermania – të trija nën Shqipërinë! Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë dhe nuk ka ndodhur ende asnjëherë Mû kjo është forca e çuditshme tërheqëse, e pashlyeshme e Trier-it 1983 e zotëruar prej trajnerit Ramazan Rragami. Ai ishte protagonisti ynë trajner, por që themelet e personalitetit të tij të madh, qenë vendosur në gati dy dhjetvjetëshe të jetës së futbollistit po të madh me emrin Ramazan Rragami.

Pra, drejtpërsëdrejti në fushën e blertë si futbollist mesfushor, si sulmues, si qendërmbrojtës, si mbrojtës, si gjysmësulmues, si penalltist, si shënues golash permes goditjeve të llojllojshme, si kapiten i skuadrës, si Kampion i Shqipërisë, si kombëtaras i pazëvëndsueshëm. Ky ishte universali me emrin Ramazan Rragami. Më 10 janar 1995 në gazetën “Sporti Shqiptar” që drejtoja, kam publikuar përfundimet e anketës më të famshme të deritashme për futbollin kombëtar. Fjala ishte për të përcaktuar 11-shin më të mirë të deri asokohe (1930-1995). Ishte një lloj referendumi me pjesëmarrjen e shumë personaliteteve të futbollit, drejtues, trajnerë, gazetarë.

Ka fituar ky 11-sh: Vogli, Frashëri, Halili, Spahiu, R.Rragami, Demollari, Bizi, M.Haxhiu, L.Boriçi, Resmja, Pano. Gjithmonë 11-she të tillë që synojnë të bashkojnë epokat, janë të vështirë, ndoshta disi edhe subjektive e mundet dhe të diskutueshme. Mirëpo, renditja e Rragamit midis 8 futbollistëve të cilët fituan pikë më shumë se të tjerët, madje dukshëm, them se është sinjifikativi i vetë një epoke të futbollit shqiptar.

Më vjen mirë që këtu, në këtë libër të shkrimtarit dhe dramaturgut të shquar Fadil Kraja – një dashamir i madh i futbollit dhe i sporteve – më jipet rasti të rikujtoj për lexuesin portretizmin që i kam bërë Rragamit tonë në numrin e posaçëm të “Sportit Shqiptar” ku shpallej 11-shi më i mirë i 65 vjetëve. Tek është:

“Ramazan Rragami (1944)

Përfaqësues i VLLAZNISË dhe i PARTIZANIT. 18 ndeshje me Kombëtaren. Dy herë Kampion i Shqipërisë me skuadrën shkodrane e cila më 1972 theu heshtjen 25 vjeçare të mungesës së titullit te Vllaznia, ai është forca e parë e një tresheje Rragami – Bizi – Zhega, padyshim ndër më unikalet në historinë e futbollit shqiptar. Shtatlartë, me një harmoni fizike të rrallë, universal, tipi modern i mesfushorit të kohës, Rragami ishte po ai në mesfushë, në sulm e deri në qendër të mbrojtjes kur luajti si “i lirë” në dy kampionatet e fundit të tij.

I një elegance mbresëlënëse në përdorimin e topit, sa ishte bllokues i fuqishëm i kundërshtarëve më të fortë, ai ishte padyshim ndër shuterët më të mëdhej: teknikë e pagabueshme, forcë goditëse shembullore dhe një penalltist që ka bërë histori. Nuk mbahet mend të ketë humbur ndonjëherë një 11-metërsh. Historia rezervon për te rastin botëror të realizimit të shtatë 11-metërshave në finalen dramatike të Kupës së Shqipërisë 1972! Duke mbërritur deri në kapiten i Kombëtares, ai është pjestar i saj në ngjarjet më të mëdha: Irlanda e Veriut 1-1 dhe e paharruara RF Gjermane 0-0 më 1967.

Fitues i Kupës Ballkanike me Partizanin më 1970, në arkivin e tij janë ndeshjet e mëdha me Torinon 1-0 dhe eliminimin e Advidabergut të Suedisë të cilat përbëjnë nga interpretimet më kuptimplote të futbollit të tij të fuqishëm dhe origjinal. Do t’i kushtohet profesionit të trajnerit kur me Vllazninë arrin të fitojë një titull të kampionit, ndërsa me Shyqyri Rrelin është Kampion i Ballkanit me Shpresën dhe mandej në tetëshe të Europës në dëm të RF të Gjermanisë të Berti Vogts.”

Nuk do t’i luaja presjen as për sot, kur kanë kaluar gati plot 20 vjet të tjerë dhe kur futbolli modest shqiptar me ulje-ngritjet e tij është përpjekur të mbërrijë caqet e profesionizmit të vërtetë, për fat pa ia arritur ende. Ndoshta edhe sepse padashur ka harruar futbollin prej profesionistësh të vërtetë të Ramazan Rragamit me shokë, edhe pse në kohëra kur ky stil apo kjo mënyrë profesionistësh, të paktën “ideologjikisht”, gati mallkohej.

Ky pra, është mjeshtri i madh Ramazan Rragami, portretizimin e të cilit e fillova nga fundi, me apogjeun e tij si trajner, në Trierin gjerman duke mposhtur po një Gjermani. E tash, vetvetiu po më pëlqen ta mbyll me fillimin e tij, një fillim që ndërroi për mirë, një rrjedhë futbollistike, një fat, një histori, një epokë. Ramazan Rragami ka hyrë në futbollin shkodran në vitin e një krize të madhe të tij.

Ka hyrë në çastin kur sapo ishin larguar ose po largoheshin jo më një brez, por e pakta dy breza futbollistësh të shquar. Mû në këte çast shfaqet ky djalë i ri, i cili me një vrap të lehtë, disi të ndrojtur megjithate, shtadrejtë e harmonioz, hynte në fushën e futbollit të qytetit të Vlorës. Ka qenë 24 shkurt 1961, java e parë e Kampionatit Kombëtar të atij viti. Ishte ndeshja Flamurtari – Vllaznia 2-1.

Ai e kishte nisë me humbje. Dhe sot, vetëm ai mund t’i spjegojë ndjenjat e asaj ndeshjeje që e kishte përurur. Dukej si një fëmijë midis burrave. Merre me mend, autori i golit të shkodranëve, futbollisti i paharrueshëm Qamil Medja, ishte gati 15 vjet më i madh se ai.

Protagonisti ynë nuk i kishte mbushur 17 vjetët. E vërteta është se atë ditë me te ishin edhe dy të rinj të tjerë, 19-20 vjeçarët me emrat Frederik Çapaliku dhe Esat Rakiqi me të cilët mbas pak vitesh do t’i kthente lavdinë Vllaznisë së Shkodrës. Viti që do të rikthente një histori të madhe nën firmën e trajnerëve të mëdhej Xhevdet Shaqiri e Xhelal Juka. Ata do të ishin P.Ndoja, Lekaj, M.Vaso, M.Dedja, Duraj, Rakiqi, S.Dani, R.Rragami, Bizi, Zhega, Koçobashi, I.Hoxha, Ç.Ndoja, R.Çanga, Z,.Basha, Plumbini, Qeraj…

Nuk mund të harrohen kurrë, sepse me në krye Ramazan Rragamin, kthyen rrotën e një historie!… Dhe, në një farë mënyre, them se ky kthim e ka datën e fillimit te 24 shkurti i vitit 1961, kur papritmas shfaqej 17-vjeçari ynë i panjohur duke monumentalizuar startin e një shpërthimi që nuk do të vononte. Në te Ramazan Rragami është i pari i një epoke të re për futbollin e Shkodrës, por dhe i gjithë Shqipërisë. Kjo është dhe simbolika e pashlyeshme e universalizmit të tij”.

Viti 2014

Librin e Fadil Krajës ma ka dhuruar vetë Rragami duke më lënë me kaligrafinë e tij të hijshme të shkrimit të tij prej intelektuali këtë dedikim fort të çmueshëm:

Z.Besnik Dizdari, Mbetesh gjithnjë më i miri shok, dhe mik shumë i respektuar i familjes sime.

Me mirënjohje e dashuri Zan Rragami

Tash po vazhdoj me historinë e tij.

KAPITULLI I

Ndritja befasuese e 16-vjeçarit Zan Rragami…

Dhe ja që një histori mund të nisë me një dështim. E, sigurisht jam ndër njerëzit që ka shkruar më fort për Zanin, siç u thirr gjithë jetën. Por në reportazhet dhe kronikat e ditës para meje janë dy gazetarë të tjerë: Rifat Uruçi e Namik Mehmeti – përveç të tjerave bashkëqytetarë të tij.

Por ja që, edhe unë kam pasur “fatin” të luaj një ndeshje futbolli me Zan Rragamin. Kuptohet, ka qenë një ndeshje fëmijësh midis lagjeve të Shkodrës, ndoshta pak përtej mesit të viteve ‘50, të cilat ne i organizonim vetë, pa ndërhyrjen e askujt. Dhe ky është i vetmi kujtim i paharrueshëm imi i drejtpërsëdrejti nga fusha e blertë me Rragamin. Asokohe, ai ishte, për çudi, pak më i gjatë nga unë. Me siguri Zani i vogël do të ketë menduar se do të bëhej futbollist.

Unë kurrsesi. Dhe as njëri dhe as tjetri fëmijë prej ne të dyve nuk do të ketë menduar në ato vite ‘50, aty në fushën e aneksit të stadiumit që sapo ishte emërtuar “Vojo Kushi”, se mbas shumë vitesh ne do të bashkoheshim përsëri përmes futbollit, duke mbërritur së bashku deri në ditët dhe mbrëmjet e paharrueshme, madje historike të Trierit të Gjermanisë në nëntor të 1983-shit, kur Rragami do të kishte një sfidë të vërtetë europiane, teksa do të eliminonte brenda në fushën e saj Gjermaninë e 21-vjeçarëve të Berti Vogts-it nga Kampionati Europian: ai trajneri, unë reporteri. Ky ishte një kulm për të dy, ndonëse me një ndryshim të madh: suksesi ishte krejt i tiji.

Unë e kisha suksesin të nesërmen, te mbi 50.000 kopjet të “Sportit popullor” të Tiranës që do të shiteshin thuajse në fshehtësi, për shkak të ngjarjes së madhe të Zan Rragamit. Ky ka qenë kulmi i karrierës së tij. E, tash në mbi 60-vjetorin e premierës në fushën e blertë të këtij kolosi të futbollit shqiptar, do të shkruaj për atë që nuk dihet ose dihet pak, ashtu siç pata vepruar për të paharrueshmit Panajot Pano e Ali Bushati.

Ndonëse për këtë të fundit me një ndjenjë të lartë të humanizmit qytetar ende nuk kam treguar me datë e orë një shuarje jetike që i është i bërë… Por të shkojmë te Zani. E pra, si lindi futbollisti Rragami, si u shfaq, si befasoi dhe, mbi të gjitha, si ngjau që ky futbollist i solli Shkodrës pas kaq vitesh të errëta, lavdinë e futbollit dhe, mbi të gjitha, si ia arriti ky themelues i treshes Rragami – Bizi – Zhega t’i risillte Qytetit të Veriut, stilin e humbur të futbollit spektakolar, taktik, teknik, fizik dhe të një shpirti të paepur.

Dhe si e përçoi këtë stil deri te Kombëtarja e Shqipërisë. Rrallë mund të ketë në historinë e futbollit shqiptar një rast që një futbollist i cili hyn në futbollin e të rriturve në moshën 16-17 vjeç dhe largohet 32 vjeç, të ketë po të njëjtin fizik rinor në harmoninë e muskulaturës elastike dhe të pashkëputshme deri në unitet të përkryer, si në rastin e protagonistit tonë. Ky është Rragami. Është e papërshkrueshme vërtet!

Nëna natyrë përmes gênit e kishte skalitur. Për herë të parë në këtë histori, emri i tij shfaqet për publikun më 21 shtator 1960, në një ndeshje të tri ditëve më parë, për kampionatin kombëtar të të rinjve, Partizani – Vllaznia 1-1 e në 11-shin shkodran duken tre emra, të cilët do të bëjnë një histori të madhe: Ramazan Rragami në rolin e gjysmëmbrojtësit të majtë, Selami Dani në atë të qendërsulmuesit dhe Esat Rakiqi në rolin e gjysmësulmuesit të majtë.

Që të tre janë gjimnazistë, madje njëri prej tyre, Selami Dani, ishte shoku im moshatar i klasës paralele të gjimnazit të Shkodrës, i cili kur më tregoi për herë të parë se kishte arritur të luante me të rinjtë e Shkodrës futboll, unë thuajse tallesha, sepse nuk mendoja asokohe që nga gjimnazi mund të dilte një futbollist i dëgjuar.

Kjo nga që volejbolli, basketbolli dhe atletika sundonin gjithë veprimtarinë sportive të gjimnazit. Po atë qëndrim mbaja edhe me bashkëlojtarin e tij, gjimnazistin tjetër tonin, Fahri Doracin, i cili shpejt do ta braktiste futbollin. I gjithë mosbesimi im mbas prishjes së fushës së futbollit të gjimnazit, ndërtuar qysh në vitet e Mbretërisë (projektuar dhe drejtuar nga prof. Irfan Tërshana) e kishte një bazë, e për shkak të kësaj prishjeje, futbolli kishte ikur nga gjimnazi, i cili nuk prodhonte më futbollistë. Mirëpo, duhej pranuar se Selami Dani, si futbollist, nuk dilte nga mjedisi i gjimnazit, por nga qerthulli fantastik i lagjeve përreth stadiumit “Vojo Kushi”, që pa ndalim prodhoi thuajse të gjithë futbollistët më të mirë të Shkodrës, qysh nga ky vit 1960 e deri andej nga fundi i viteve ‘80.

Prej Zan Rragamit e Din Zhegës, e deri te Sabah Bizi, prej Bashajve të famshëm e Halil Puka e deri tek Ismet Hoxha e më tej. Mû në këtë ndeshje të 18 shtatorit 1960 kishte lindur treshja e parë më e vlefshme për kthesën e futbollit të Shkodrës, ajo që do të njihej si treshja Rragami-Dani-Rakiqi ose Zani-Selamia-Esati, siç njihen sot e kësaj dite të tre këta shokë të dashtun me njëri-tjetrin, pararendës të treshes tjetër legjendë, Rragami-Zhega-Bizi. Dhe pikërisht këto dy treshe kanë luajtur rolin më të madh për rilindjen e futbollit të shkatërruar të Shkodrës deri në atë vit 1960.

Në atë ndeshje të rinjsh të 18 shtatorit 1960, Vllaznia – Partizani, Rragami ishte më i riu. Vetëm 16 vjeç! Vllaznia kryeson falë të golit Hijes, po krijuesi i golit është pikërisht djaloshi Rragami. Ndërkaq, interesantja është se në 11-shin e Partizanit janë dy emra, të cilët mbas pesë vjetëve, më 1965, së bashku me Zanin nën fanellën e Kombëtares, do të shkaktonin eliminimin e bujshëm të Irlandës së Veriut, thuajse bërthamë e Manchester United të George Best, në 1-1-shin historik për ne, atë të 25 nëntorit 1965.

Ishin Mikel Janku portier dhe Foto Andoni sulmues. Interesantja tjetër është se në 11-shin e Partizanit, në rolin e sulmuesit të krahut të majtë ishte dhe një 17-vjeçar, i paharrueshmi Veli Rada, radiokronisti i dëgjuar dhe aktori ynë i mirënjohur, për të cilin, duke i shkuar për shtat shijes së humorit të tij, do t’i thosha se si futbollist i fushës së blertë, “dështon”. Fati kishte përcaktuar që ta komentonte futbollin në mënyrën më origjinale të mundshme, e jo ta luante më tej. Për histori, 11-shet e asaj ndeshjeje që paraqet për herë të parë në publik emrin Rragami, janë këto:

Tiranë, 18 shtator 1960. Kampionati kombëtar i të rinjve:

PARTIZANI – VLLAZNIA 1-1

PARTIZANI: Janku; Lubashi, Çaçi, Pilika; Manaj, Çeçi; V.Rada, Andoni, Pipa, Dodi, Kanini.

VLLAZNIA: Cani; Rama, Perdja, Zaganjori; Dibra, Rragami; Quku, Hija, Dani, Rakiqi, Doraci.

SHËNUES: Hija 17’, Dodi 64’.

GJYQTARË: F.Kuka, I.Çani, Sh.Hidi.

Dhe vetëm një përmendje e zbehtë për Rragamin, në çastin e golit! Kaq! Ai do të ishte një nga kampionatet më të bukura në historinë e të rinjve tanë. Dhe ishte hera e parë që sundimi i 17 Nëntorit, kampion i përvitshëm thuajse, do të lëkundej. Ajo e fiton kampionatin me vetëm 1 pikë mbi Vllazninë (23 me 22) nën drejtimin e trajnerit të shquar Osman Caslli. Po skuadra shkodrane dhe trajneri i saj, i çmueshmi Xhelal Juka, i meritave përtej se zbuluese të talenteve të reja, kishte arritur një sukses të madh.

Ai kishte paraqitur për herë të parë mbas gati 15 vjetëve, një treshe të shpresës së madhe: Rragami-Dani-Rakiqi! Skuadra e të rinjve të Vllaznisë kishte tërhequr spektatorë të panumërt. Ishte diçka vërtet sensacionale. Lojërat e saj ishin spektakle që në Shkodër nuk ishin parë prej vitesh.

Dashamirët e futbollit të qytetit përshkoheshin prej një padurimi për t’i parë sa më shpejt këta djem me Vllazninë e parë. (Një javë më vonë, gazetari Prokop Koreta, krejt papritmas paraqet në “Sporti popullor” portretin e një djali 14-vjeçar me emrin Selaudin Zhega, që nuk ishte askush tjetër përveçse Medin Zhega – vepër e trajnerit të shquar, krejt të harruar, Zyhdi Bakalli – si një talent të sigurtë të futbollit, shoqëruar për çudi, me një foto ku “pionieri” Zhega është duke goditur topin me krye, vetia që do ta bënte madje të paarritshëm prej asnjë sulmuesi tjetër në historinë e Shqipërisë. Rilindja e futbollit në Shkodër ishte një punë e kryer.).

Kjo duhej të ishte fillesa e kthesës së madhe për futbollin shkodran dhe qysh nga ky vit 1960, do të kishim të bënim me një start të pandalshëm talentesh. Do ta fillonte Zan Rragami, me të cilin ne do të shoqërohemi fort në kapitujt e ardhshëm të tregimit tonë…(Marrë nga gazeta “Panorama Sport”)