Aktualisht duke mos pasur mundesine të shprehem profesionalisht në fushat e futbollit, vendosa të shkruaj dhe publikoj artikuj në faqen time. Kjo, thjesht për të shprehur dhe shkëmbyer idetë dhe këndvështrimet e mia profesionale me kolegët, punonjësit, lojtarët, prindërit dhe të gjithë dashamiresit e futbollit. Një nga profesoret më të mirë të futbollit që pata fatin të takoj gjatë kursit Master UEFA PRO, Prof. Franco Ferrari perdorte një shembull shumë domethënës.

Ai thoshte; Ju keni një monedhë me vlere një euro dhe unë kam një euro tjetër. Nëse vendosim t’i shkëmbejmë, asnjëri nga ne nuk përmirësohet ekonomikisht, sepse na mbetet gjithmonë një euro për secilin. Nga ana tjetër, nëse ju keni idenë tuaj dhe unë timen, pasi i shkëmbejmë, bëhemi pak më të pasur, sepse do të mbesim me nga dy ide per koke. Pra, shpresoj dhe uroj që artikujt e mi të mos interpretohen si kritika, por thjesht si shkëmbim mendimesh dhe idesh.

Sot deshiroj të shpreh dhe të ndaj me lexuesit mendimet dhe idetë e mia profesionale për botën e futbollit të të rinjve edhe nga një këndvështrim tjetër.  Absolutisht pa i hequr asgje aktivitetit futbollistik dhe objektivave që lidhen me rritjen dhe formimin e fëmijëve dhe të rinjve si futbollistë, gjatë karrierës sime profesionale gjithmonë kam menduar dhe punuar shumë për të ardhmen e tyre edhe jashtë futbollit. Kudo që kam qenë, kam punuar dhe jam përpjekur të ftoj kolegët, fëmijët dhe prindërit e tyre që ta shohin futbollin jo vetëm si sport apo kalim kohe e lirë. Futbolli është shumë më tepër se kaq dhe ne duhet të nxjerrim të gjitha avantazhet dhe përfitimet e mundshme për fëmijët dhe të rinjtë përpara se ato të rriten dhe të largohen përgjithmonë nga akademite.

Rreth moshës 18-vjeçare ka shumë djem te rinj që nuk e bëjnë kapërcimin në cilësi me lart dhe që mbarojne së luajturi futboll. Çfarë do të bëjnë ato në jetë, me pas? Me siguri ata do të shkojnë të punojnë ose të studiojnë në universitete për t’u kualifikuar dhe përgatitur për botën e punës. Pra, pse të mos mendojme për këtë shumë më herët dhe të përpiqemi prane akademive te futbollit që të ndihmojme dhe rrisim të rinjtë në mënyrë të tillë që t’i bëjme ata të gatshëm dhe të përgatitur për tu integruar edhe në botën e punës, në të ardhmen e shpejtë? Pse të mos hapim sytë dhe mendjet e të gjithëve për t’i bërë ata të kuptojnë pafundësinë e mundësive dhe vendeve te punes që ofron vetë bota e futbollit?

E përsëris, futbolli nuk është vetëm një lojë, është shumë më tepër. Në fakt, futbolli është një nga industritë më të mëdha në botë dhe nuk deshton kurrë. Si i tillë, përveç profesionit të futbollistëve dhe trajnerëve, ofron një numër të pafund mundësish pune për shumë profesionistë të tjerë që operojnë me sukses në industrinë më të madhe sportive. Lista është shumë e gjatë, por për ta kuptuar më mirë mund të rendisim disa shembuj. Drejtorë sportive, administratorë, menaxherë ekipesh, sekretarë, zbulues talentesh, vëzhgues, punonjës magazinjere, mjekë, fizioterapistë, punonjës marketingu, punonjës shtypi, psikologë sportivë, analistë, etj etj gjejnë punë dhe jetojnë me profesionet e tyre prane futbollit. Siç mund ta shihni, lista është shumë e gjatë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, gjejnë hapësirë ​​dhe shtohen gjithnjë e më shumë figura të reja profesionale

Nisur nga ky potencial që ka industria e futbollit, (që askush nuk mund ta mohojë), pse të mos mendojmë dhe punojmë sa me heret ne kohe për të ardhmen dhe të mirën e fëmijëve dhe të rinjve edhe pas karrierës së futbollit? Pse të mos identifikojme hobet, talentet dhe prioritetet e tyre gjatë viteve prane akademive dhe më pas t’i mbështesim per  t’i trajnuar dhe zhvilluar ato? Me kalimin e viteve, pse të mos ruajmë dhe forcojmë gjithnjë e më shumë lidhjen e tyre me futbollin  dhe të lehtësojmë të ardhmen e tyre në botën e punës prane vetë industrise se futbollit? Pse të mos punojme edhe ne kete drejtim dhe t’i transformojmë Akademitë në universitete të vogla e reale?

Sigurisht që pyetjet e mia janë retorike. Gjithçka është e realizueshme. Disa akademi tashmë e bëjnë këtë, por  rastësisht dhe jo me projekte dhe programe te verteta per kete qellim. Do të ishte shumë e dobishme dhe fitimprurëse që akademitë dhe punonjesit prane tyre  të reflektojne për këtë dhe të ndërtojne e transformojne shkollat e fitbollit në universitete të vogla të jetës dhe profesioneve. Absolutisht pa i hequr asgje  projekteve dhe programeve te punës në futboll, por paralelisht me ato do të ishte fantastike t’u transmetohej te rinjve  dëshira dhe vullneti për të njohur dhe mësuar profesione të tjera, përveç atij të futbollistëve. Të gjithë profesionistët që punojnë në klubet e futbollit në bashkëpunim me drejtuesit teknikë, trajnerët dhe prindërit, mund të përfshihen dhe përdoren në këto projekte largpamëse.

Me kënaqësi sjell shembuj për të përcjellë sa më mirë idetë e mia. Të rinjtë që pëlqejnë shkencat e mjekësisë dhe duan të bëhen fizioterapistë, mjekë apo infermierë në të ardhmen, tashmë mund të fillojnë gjatë rrugës së tyre prane akademivevte futbollit të marrin leksione dhe të pervetesojne sa me shume te dhena mbi profesionin nga anëtarët e stafit mjekësor të klubeve te futbollit. Ata mund të nderlidhen me ata dhe madje të bëjnë edhe  praktika të vogla prane atyre. Të gjitha në formë shtesë dhe pa i prishur o hequr asgje futbollit,  por që do të sjellin shumë avantazhe dhe lehtësi për te rinjte në të ardhmen si në universitete ashtu edhe në botën e punës.

Po kështu ata që pëlqejnë botën e mediave, mund të ndiqen nga zyrtarët e shtypit të klubeve dhe madje mund të përfshihen me kalimin e kohës ne punen për të bërë raporte të vogla të ndeshjeve, për t’u kujdesur për faqet online të klubeve etj. Një shembull tjetër janë te rinjte që duan të bëhen trajnerë ose pregatites atletikë. Do të ishte shume mire te identifikohen ato dhe t’i afrohen  instruktorëve dhe trajnerëve te akademise  si ndihmës dhe njëkohësisht te mësojmë sa më shumë nga profesioni i trajnimit. Mund të vazhdoj me shembujt, por mendoj se janë të mjaftueshëm për të krijuar idenë mbi atë që dua të shpreh dhe percjell.

Duhet besuar për të parë. Duke i dhënë jetë këtyre projekteve dhe ideve, do te hapen gjithnjë e më shumë horizonte të reja për akademite, klubet ne pergjithesi dhe të gjithë pjesëmarrësit prane atyre. Do të lindin ide të tjera novatore, do të shtohen bashkëpunime të reja, do të pasurohen shkëmbimet kulturore, do të rriten ato profesionale, etj. Gjithçka do të sillte përparim dhe një të ardhme më të qartë dhe më të bukur për të rinjtë. E vërtetë, askush nuk do të ishte kundër gjithë kësaj. Pra, pse paralelisht me futbollin të mos përveshim mëngët dhe t’u përkushtohemi plotësisht fëmijëve dhe të rinjve për t’i mundesuar atyre qe  të rriten e  bëhen jo vetëm futbollistë, por edhe burra dhe profesionistë të vërtetë të së ardhmes?

Vitet kalojnë shpejt, fëmijët rriten menjehere dhe një jetë e tërë i pret perpara ato. Duke pare edhe kohet qe po perjetojme, asgje behet me e lehte, perkundrazi. Për këtë dhe shumë arsye të tjera, i ftoj të gjithë të mendojmë sa më shumë dhe paraprakisht për të ardhmen e tyre. Ata nuk e kanë jetuar ende moshën  madhore për të kuptuar qiellin e jetës si ne te rriturit. Ndersa ne, nga ana tjetër, kemi qenë të rinj dikur, e kemi te lehte te njohim botën e tyre. Ne mund t’i kuptojmë ato fare mire, t’i vlerësojmë, t’i rrespektojme,  t’i mësojmë të fluturojnë ne jete, tua rrisim krahët në mënyrë që të arrijne sa më lart. Le të sigurohemi që t’i rrisim dhe t’i leshojme si shqiponjat në qiellin e jetës … dhe jo si pulat.

Kam qenë dhe do të jem gjithmonë në krah të të rinjve dhe fëmijëve. Ata janë buzëqeshja e vërtetë e botës