Mund të themi që ka dështuar përfundimisht transferimi i mundshëm i Theo Hernandez nga Milan tek Atletico Madrid. Anësorit francez i skadon kontrata verën e vitit të ardhshëm, por drejtuesit e Milan janë të gatshëm të lejojnë largimin e tij nëse vjen oferta e duhur.
Milan e vlerëson Hernandez 25 milionë euro dhe nuk pranon asnjë ofertë më pak se kaq. “Football Italia” raporton se Atletico Madrid ofroi deri në 18 milionë euro, por që u refuzua nga klubi kuqezi.
Kjo ishte arsyeja e parë pse dështoi transferimi i Hernandez drejt Madridit, ndërsa arsyeja e dytë lidhet me tifozët e “Colchoneros” të cilët dolën kundër transferimit të francezit, pasi ai ka dalë pikërisht nga akademia e Atletico-s, por në vitin 2017 zgjodhi të transferohej te Real Madrid dhe tifozët e ekipit të drejtuar nga Diego Simeone, e konsiderojnë ende një “tradhtar”.
Për Hernandez ka interes edhe nga klubet arabe, të cilat janë të gatshme të paguajnë shifrën 25 milionë euro të kërkuar nga Milan dhe t’i ofrojnë francezit një super rrogë, por ai ka ende shanse se mund të transferohet te ndonjë ekip elitar brenda Europës./telesport/