Prej disa kohëshësh të transferuar në SHBA, por interesin për kampionatin shqiptar të futbollit dhe Vllazninë e tij, nuk e humbet.gocajFjala është për Olsi Gocajn, i cili i ndodhur në vendin tonë për pushime, ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-mbrojtësi është ndalur te Kategoria Superiore e këtij sezoni dhe si e sheh ai. Po ashtu, shkodrani jep edhe një mendim për ndeshjen e fundjavës, Laçi-Vllaznia dhe dëshirën për t’i parë kuqeblutë kampionë në këtë edicion.


Gocaj, larg Shqipërisë, por gjithmonë afër futbollit. Si e keni parë kampionatin shqiptar deri më tani?

Të them të drejtën momentalisht jam në Shqipëri dhe kam pasur mundësi të ndjek edhe disa ndeshje në stadiume. Por patjetër që kampionatin shqiptar nuk kam humbur mundësinë ta shoh edhe në SHBA. Nga ajo çfarë kam parë deri më tani, shoh një kampionat të balancuar dhe të barabartë, ku asnjëra nga skuadrat nuk bën ndonjë super diferencë nga të tjerat.

Vllaznia në veçanti, si ju është dukur?

Shoh një skuadër që ka dëshirë dhe kërkon të luajë futboll. Trajneri Brdariç po mundohet ta rikthejë sërish atë ekipin sulmues që ishim mësuar prej tij. Por gjithsesi unë them që kjo skuadër ka mundësi për më tepër. Nuk besoj se kemi parë ende maksimumin e ekipit. Them se duhet të presim ndoshta edhe 2-3 javë për të parë Vllazninë e vërtetë.


A mund të jetë ky sezoni i duhur që Vllaznia të rikthejë titullin në Shkodër pas 24 vitesh?

Nuk dua të bëj parashikime, por thjesht unë kam dëshirën si çdo shkodran. Uroj dhe shpresoj që titulli të rikthehet në qytet, sepse ka mbi dy dekada që mungon. Shkodra dhe tifozët e saj e meritojnë një gëzim siç është fitimi i titullit kampion.