Nga Artan Shyti*

Basketbolli mbetet sporti i dytë për nga popullariteti në Shqipëri. Mes futbollit dhe volejbollit, përbëjnë të tre sportet më të ndjekura, më të luajtura dhe më të njohura.

Për këtë, edhe vëmendja ndaj tyre për çdo specialist sporti është e veçantë. Popullariteti i këtyre sporteve nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Të gjitha vendet e rajonit apo edhe më gjerë kanë këtë trend vlerësimi dhe popullariteti.

Kjo e bën shumë të vështirë arritjen e rezultateve ndërkombëtare në këto sporte, po të kemi parasysh se në Ballkan, rivaliteti kalon në nivele sportive botërore. Por, kjo nuk duhet të na pengojë që basketbollit dhe volejbollit t’i japim mbështetjen dhe vëmendjen maksimale që të shërbejnë si aktivitete sportive masive dhe gjithëpërfshirëse, në pritje të talenteve dhe kushteve financiare dhe infrastrukturore që edhe ne të bëjmë një hap cilësor ndërkombëtar në këto sporte.

E thënë ndryshe, na duhet të fillojmë duke përfshirë sa më shumë të rinj e të reja në këto sporte, që të mundësojmë evidentimin dhe trajnimin e talenteve potencialë. Por, ajo që po vihet re është një trend që duket se shkon në drejtim të kundërt me sa u tha më sipër.

Klubet tona të këtyre sporteve kanë filluar dhe po zgjerojnë një garë të vërtetë rekrutimesh të sportistëve të huaj, duke arritur edhe në shifra të habitshme. Kemi klube që kanë 3, 4 apo edhe më shumë lojtarë të huaj, kryesisht amerikanë, në basketboll, apo të gjithfarë nacionalitetesh në volejboll, ku federata, të paktën, ka vënë të paktën një limit prej dy të huajsh. Basketbolli këtë prani të të huajve e ka pa limit, momentalisht.

Problemi mund të trajtohet edhe si vullnet individual klubesh ku nuk ka pse përfshihet dikush tjetër. Por, duke konsideruar legjitimitetin e këtij këndvështrimi për atë klub, përsëri disa pikëpyetje mbeten në kontekstin e përgjithshëm të zhvillimit të këtyre sporteve.

Nëse ekipet tona mbushen me të huaj, ku do të luajnë të rinjtë e ekipeve zinxhir? A vlen marrja e gjithë këtyre të huajve për të rritur cilësinë e sportistëve shqiptarë? A i shërben krijimit të një ambienti tërheqës, stimulues, zhvillues, fakti që luajnë 3-4 të huaj në basketboll dhe 2 në volejboll duke lënë në stol lojtarë edhe të perspektivës dhe që duhet të stërviten për të qenë kontingjent i ekipit kombëtar? A sjellin këta lojtarë të huaj promovim të basketbollit dhe volejbollit në mes të rinisë shqiptare?

A janë rentabël paratë e harxhuara për një “vizitë” trekatër mujore të tyre në Shqipëri? Këto pyetje apo dhe të tjera duhet të jenë objekt diskutimi e vendimmarrjeje. Sot po jetojmë një realitet ku futbolli, basketbolli dhe volejbolli në Shqipëri po ndërkombëtarizohen përtej limiteve të logjikshme, sipas vlerësimit tim personal.

Kjo ndihmon kampionatizmin dhe ambiciet individuale të drejtuesve të klubeve, të cilat mbeten gjithmonë të respektueshme kur nuk janë para publike, por investime private. Ndërsa përdorimi i parave publike për sportistë e trajnerë të huaj klubesh duhet ndaluar me ligj. Sepse është veprim absurd të mbledhësh taksa shqiptarësh e të paguash kontingjente “mercenarësh”.

Sepse nuk besoj se ndihmon zhvillimin afatgjatë të këtyre sporteve. Veçanërisht të basketbollit ku “amerikanizimi” i klubeve po shkon në kufijtë 70-80% të lojtarëve në fushë, duke rrezikuar që të ketë më tepër amerikanë në një ekip basketbolli shqiptar sesa në një ekip të NBA-së. Uroj të jem gabim!
*Artikulli eshte botuar ne gazeten “Panorama Sport”