Është e dhimbshme të konstatohet se Bashkia Shkodër, një qytet me tradita të rralla sportive, nuk ka asnjë lidhje reale me zhvillimin e sportit. Stadiumi “Loro Boriçi” dhe Pallati i Sportit janë trajtuar jo si hapësira për sportistët, por si salla për koncerte, tubime politike apo panaire artizanësh.
Për të mos përmendur periudhat zgjedhore, kur për një muaj të tërë bllokohen për procesin e numërimit të votave, duke lënë jashtë çdo planifikimi qindra sportistë e trajnerë.
Është një paradoks i pashembullt që në një qytet ku sporti është oksigjen i identitetit dhe shpirtit qytetar, të mos ketë asnjë investim nga Bashkia në ambientet apo kushtet për sportet me dorë apo disiplinat e tjera. Nga viti 2021 e deri më sot, nuk është bërë as ndërhyrja më e vogël për të përmirësuar infrastrukturën sportive, trajtimin e trajnerëve apo mbështetjen e klubeve që edukojnë brezin e ri.
Kjo që po ndodh me futbollin është vetëm maja e një indiference që ka prekur mbi 17 disiplina të tjera sportive. Dhe në fund, sportistëve u kërkohet të konkurrojnë me Tiranën apo qytete të tjera që kanë buxhete dhe standarde krejt të tjera. Hipokrizia ka kaluar çdo kufi. Shkodra meriton më shumë!
*Ish- president i Vllaznisë së volejbollit të femrave