Stadiumet janë hapur thuasje kudo, jo në kapacitet të plotë, përjashto vende të veçanta si Hungaria, fjala vjen, ku mbrëmë ishin 60 mijë tifozë në shkallët e “Puskas Arena”. Pavarësisht se pandemia ende vazhdon ta mbajë në ankth njerëzimin, po shkakton viktima të shumta, stadiumet e futbollit po i rikthehen pak nga pak jetës.
Edhe futbolli po merr shijen e veçantë, sepse pa publikun duket si “peshku pa ujë”. Natyrisht, duhen zbatuar rregullat e përcaktuara në protokollet shëndetësore, që të mos kthehemi në pikën zero, kur shpërtheu Covid-19 në mbarë globin dhe paralizoi thuajse gjithçka.
Si kudo në botë, edhe klubet tona po operojnë me abonime të tifozëve, një mënyrë për ta pasur “lojtarin e 12-të” jo vetëm në ndeshje të rëndësishme, por rregullisht. Ky është njëri qëllim i klubeve, ndërsa për tifozët përkthehet ndryshe në redukltim shpenzimesh, sepse me bileta të çdo ndeshjeje do t’u shkonte goxha më tepër.
Deri këtu jemi në normalitet. Pastaj, kur fillojnë të ankohen për çmimet e tyre, sikurse bënë tifozët shkodranë, ia vlen analiza. Unë mirëkuptoj dyshimet e disave, që thonë se kush na jep garanci se do të lejohemi në të gjitha ndeshjet në stadium… Sepse, në kushtet e pandemisë, të mbylljeve e hapjeve, qeveria mund t’i kyçë sërish objektet sportive.
Sidomos stadiumet, që konsiderohen përhapës të mëdhenj të virusit. Përgjigjen kësaj dileme nuk mund t’ia japë dot askush, sepse nuk po ia jep tash 2 vite shkenca botërore, jo më ne në Shqipëri. Po, stadiumet mund të mbyllen, nëse shifrat e të infektuarve kapin majat. Shëndeti është para së gjithash, ndaj duhet menduar për të.
Ka një mundësi “revizionimi” edhe në këtë rast.
Nëse një tifoz e blen abonenë për tërë vitin futbollistik, është e kollajtë të llogarisë sa i shkon çmimi për një ndeshje. Pastaj, duke ditur ndeshjet e munguara në stadium për arsye pandemie, jo personale, bën llogarinë se sa para duhet të të rimbursojë klubi. Ose, ajo shumë mbetet në fuqi për abonimin e edicionit pasues, duke shtuar diçka, sipas rastit.
Sidoqoftë, tifozi bën qindra kilometra në këmbë për skuadrën e zemrës, apo për futbollistin që adhuron. E patë youtuber-in e njohur francez, që përshkoi distancën prej mbi 600 km nga Marseja në Paris, vetëm për të mbajtur premtimin, sepse ajo që s’e besonte, Leo Messi mbërriti nga Barcelona. Ka shembuj sa të duash, edhe më “sakrifikues”, edhe në vendin tonë.
Mjafton të kujtoni çfarë bënë tifozët e kuq, kur Partizani i tyre mbeti në mes të katër rrugëve. Gjithsecili pagoi nga xhepi i vet diçka, sa për ta përballuar ndonjë drekë apo udhëtimin e futbollistëve nëpër ndeshje. Pra, për çmimet e shtrenjta, nuk mund të ketë shumë “vickla”. Sepse, sipas mundësisë, zgjedh edhe vendin në stadium, sektorin me abone më të lirë.
Nëse doni triubunën kryesore, sigurisht duhet të paguani shtrenjtë, sidomos për disa stadiume me kushte bashkëkohore si “Loro Boriçi”, “Arena Kombëtare”, “Elbasan Arena” etj. Kush e do vërtet skuadrën e zemrës, e gjen mënyrën për ta ndjekur në stadium. Dikush eviton njërën kafe në ditë, nëse pi dy të tilla; dikush tjetër shishen e birrës e kështu me radhë. Fundja, qejfi paguhet.
Duke bërë një llogaritje të aboneve të nxjerrë në treg nga Tirana dhe Vllaznia, kupton se vlejnë sa 3 ose 4 paketa duhani në muaj, sa 20 kafe në muaj, sa 6 shishe birre në muaj.
Nuk janë çmime të larta, por po abuzohet jashtëzakonsht me këtë temë. Lokalet janë plot, edhe pse njerëzit ankohen se janë pa punë; plazhet plot. Në kinema dhe teatër po shikojmë njerëz që shkojnë dhe askush nuk thotë se bileta është e shtrenjtë.
Kjo është ekonomia e tregut, ky është privati. Pra, është mëse normale. Nuk ka më “jam kunati i shokut Xhemal”, ose punoj në bashki dhe më lejo të hyj në stadium pa biletë. Në fund, vërtet përgëzime Tiranës dhe Vllaznisë, që kanë zgjedhur këtë mënyrë “lidhjeje” me tifozët, të cilëve kanë edhe mundësinë t’ua plotësojnë kushtet maksimale në dy stadiume luksi; “Arena Kombëtare” dhe “Loro Boriçi”.