Nga Luan SHPUZA
Përshëndetje tifozët e Vllaznisë! Po e bëj këtë shkrim, pasi po shoh opinionin shumë të revoltuar ndaj presidentit Alban Xhaferi dhe ekipit Vllaznia pas humbjes 0-4 ndaj Valur. Të dashur drejtues të Vllaznisë, ju e keni privatizuar Vllazninë pa të drejtë nga “gangrena” e sportit në Shkodër, ish-kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila shkatërroi të gjitha sportet.
Ajo do mbahet mend në Shkodër për atë situatë privatizimi të papërgjegjshme. Znj. Ademi e kishte mendjen tek tenderat dhe lejet e ndërtimit, pra “KÇK”. Nuk i interesonte sporti i qytetit që të bënte ambiente sportive apo fusha.
Megjithatë, le të kalojmë te zotërinjtë e klubit Vllaznia që janë pronarë sot për momentin. I bëj thirrje presidentit Alban Xhaferi dhe drejtuesve të tjerë përreth tij që duhet të japin garanci mbi ecurinë financiare të Vllaznisë, nëse do funksionojë apo do të jetë përsëri me paterica mbijetese ekonomikisht.
Ju z. Xhaferi kam frikë se mund të bëni të njëjtën gjë si ish-presidentja e nderuar, Voltana Ademi. Gjithsesi, dëshiroj dhe shpresoj që më e mira të bëhet për Vllazninë dhe për Shkodrën, pasi stemën 1919 e kemi në gjak dhe në zemër!