Parma ka vendosur të besojë te një emër i ri dhe plot entuziazëm për pankinën e saj: Carlos Cuesta, një spanjoll vetëm 29-vjeçar, do të drejtojë skuadrën në sezonin e ardhshëm të Serie A, duke u bërë trajneri më i ri aktual në elitën e futbollit italian.

I lindur në Palma de Mallorca në vitin 1995, Cuesta nuk ka pasur një të kaluar si futbollist profesionist, por ka ndërtuar një karrierë trajnimi nga zero, me pasionin dhe përkushtimin si armët më të forta. Ndërsa studionte për shkencat e sportit në Madrid, ai nisi të shkruante analiza dhe sugjerime për stafet teknike të klubeve madrilene. Për habinë e tij, një prej trajnerëve të Atletico Madrid-it U-12 iu përgjigj. Kështu nisi rrugëtimi i tij si trajner, që e çoi deri te grupmosha U-14 e klubit.

Përvoja evropiane e pasoi me një periudhë tek Juventus U-17, ku u vlerësua nga drejtuesi i atëhershëm Federico Cherubini për inteligjencën taktike dhe pasionin e jashtëzakonshëm. Kjo lidhje do të ishte vendimtare në zgjedhjen e tij për stolin e Parmës.

Në vitin 2020, Mikel Arteta e afroi në stafin e tij tek Arsenali, ku me kalimin e kohës Cuesta u ngjit deri në rolin e zv.trajnerit kryesor, duke fituar reputacion si një nga mendjet më të reja premtuese në futbollin modern. Stili i tij është ndikuar dukshëm nga filozofia e Guardiolës, përmes filtrit të Artetës.

Me këtë lëvizje të guximshme, Parma ndjek një rrugë të ngjashme me atë të Enzo Maresca-s disa vite më parë. Carlos Cuesta pritet të bëhet trajneri i dytë më i ri në historinë e Serisë` A, duke nisur një faqe të re në aventurën e tij profesionale më 24 gusht, pak ditë pasi të mbushë 30 vjeç.