Nga Endri ÇINARI

Teuta-Vllaznia do jetë një nga duelet më interesante të javës së 23-të në Superiore. Takimi që do luhet ditën e premte në orën 16:30, në stadiumin e Durrësit, “Niko Dovana” pritet të prodhojë një 90 minutësh për t’u shijuar. Kjo jo vetëm se përballë janë dy skuadra që kërkojnë reagim pas humbjeve në ndeshjet e fundit, por edhe se përballë janë dy ekipe që kanë rivalizuar fort mes tyre në sezonet e fundit.

Megjithatë pavarësisht rivalitetit sportiv që kanë pasur dy skuadrat, statistikat e viteve të fundit flasin absolutisht në favor të Vllaznisë. Kjo përveç dy dueleve të fituara nga kuqeblutë këtë sezon në shifrat 1-2 dhe 2-1, shkodranët nuk njohin humbje në kampionat ndaj durssakëve prej thuajse 4 vitesh. Disfata e fundit e pësuar në kampionat ndaj bregdetarëve shënohet në datën 03.03.2021, shkruan shkodrasport.com

Ku luhej java e 22-të e sezonit 2020-21 dhe Teuta fitonte ndaj Vllaznisë me rezultatin 1-0 falë një goli të Bregut. Që nga ajo periudhë shifrat kanë folur të gjitha në favor të shkodranëve. Ku në 15 ndeshje të zhvilluara mes dy skuadrave numërohen 7 barazime dhe 8 fitore të Vllaznisë. Duke treguar në këtë mënyrë dominimin e 9 herë kampionëve të vendit ndaj “djemëve të detit”.

Humbja e fundit zyrtare e Vllaznisë ndaj Teutës shënohet më 28.08.2021. Ku në finalen e Superkupës, Teuta triumfonte në shifrat 3-0 ndaj kuqebluve falë golave të Aleksit, Grudes dhe Plakut. Që nga ajo ndeshje Teuta nuk njeh fitore ndaj Vllaznisë, duke u shndërruar në një ekip me fat për shkodranët.(www.shkodrasport.com)