Ka ndodhur në Krutje të Lushnjës 22 vjet më parë. Ka qenë sezoni 2001-2002 dhe pjesë e ekipit do të bëheshin tre pjestare të të njëjtës familje: Qose. Bëhet fjalë për të mirënjohurën Vjollca Llupo (Qose) dhe dy vajzat e saj, Gentiana dhe Alba.
Ka qenë sezoni i fundit i karrierës së Vjollcës, një karrierë kjo shumë e suksesshme teksa bashkë me ekipin e Krutjes arritën t’ia dalin të mundin edhe Dinamon e famshme të Kreshnik Tartarit dhe kishin arritur të fitonin 4 herë titullin kampion dhe 3 herë Kupën e Shqipërisë dhe 3 herë Superkupën e Shqipërisë. Ka luajtur për 24 vite volejboll, nga viti 1978 deri më 2002.
Gjatë kësaj periudhe ka qenë edhe anëtare e ekipit tonë kombëtar dhe njëkohësisht është vlerësuar edhe me titullin “Mjeshtre Sporti” në vitin 1985, ashtu si dhe me shumë tituj të tjerë sepse karriera e saj ka qenë mbresëlënëse. Por sot do të ndalemi për diçka shumë të veçantë.
Në sezonin e saj të fundit të karrierës, atë 2001-2002, kur Vjollca ishte në moshën 42 vjeçare, ajo pati kënaqësinë më të madhe të luante në të njëjtin ekip me dy vajzat e saj, Gentën që ishte 16 vjeçe dhe Albën 15 vjeçe. Kanë luajtur për një sezon të tërë të treja sëbashku në një kampionat bashkë me ekipet e tjera të kampionatit shqiptar.
“Largimi i shumë sportisteve nga vendi në ato vite, na e dha mundësinë që në ekipin e Krutjes të luanim edhe ne ndonëse ishim të reja në moshë. Unë dhe Alba luanim në rolin e shuteres, ndërsa mami luante si libero në atë kampionat dhe ia dolëm. Kanë qenë momente të cilat nuk do t’i harrojmë kurrë sepse ka qenë diçka e rrallë për sportin në Shqipëri dhe jo vetëm besoj”- është shprehur fillimisht Genta në prononcimin e saj për gazetën “Shkodra Sport”.
Por a ishte e vështirë të luanin të treja sëbashku në të njëjtin ekip? Vajza e madhe e familjes Qose shton: “Kuptohet që ishte edhe përgjegjësi e madhe për ne, vajzat e Vjollcës, të luanim përkrah saj, kur dihej se çfarë emri kishte ajo në volejbollin shqiptar dhe sukseset që kishte arritur.
Njëkohësisht ishte dhe njëfarë presioni, ngarkese, nisur nga mosha e madhe që kishte mami dhe ne duhej të bënim më mirë se ajo, por ishte e vështirë. Megjithatë të treja sëbashku ia dolëm të bënim paraqitje të mira. Por një mbështetje e madhe për ne ishte edhe babai- Leonidha, që po ashtu punonte si trajner volejbolli me moshat në Lushnjë.
Ai ka qenë suporti ynë më i madh. Ai e konsideronte këtë gjë një arritje tonën dhe njëkohësisht ishte krenar për gjithçka po bënim. Dhe nuk ishte e lehtë për ne. Stërviteshim në Lushnjë gjatë javës dhe në fundjavë shkonim në Krutje për të luajtur, por kur shkonim atje, gjithçka ishte shumë e bukur. Pallati i sportit ishte plotë dhe mbështetja e tifozëve ishte e madhe. Kjo edhe na e lehtësonte punë, por edhe na e shtonte përgjegjësinë për të luajtur mirë dhe për ta justifikuar veshjen e fanellës së kësaj skuadre e cila në fakt bëri emër në volejbollin shqiptar.
Kritika apo përkrahje nga mami? Na konsideronte njëlloj si gjithë lojtaret e tjera të ekipit. Na kritikonte kur bënim gjërat jo të duhura dhe na jepte kurajo në momentet e tjera. Në fushë nuk kemi patur raportet nënë- vajza, por si kolege dhe kuptohet që mami ishte në njëfarë mënyre edhe zëvëndëstrajnere në fushën e lojës. Janë kujtime që nuk do të na shlyhen kollaj nga kujtesa”.
Familja “Qose” i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë shumë volejbollit shqiptar. Pas lënies së karrierës së Vjollcës, atë e vazhduan dy vajzat e saj. Gentiana luajti me sukses me disa ekipe të kampionatit tonë dhe të shpallej edhe kampione, ashtu siç veshi edhe fanellën e kombëtares. E njëjta gjë edhe me Albën dhe kjo e plotëson edhe më shumë portretin e kësaj familje kampione.
Gjergj KOLA