Nëse flasim për sportin e mundjes klasike në Shkodër, kuptohet që një nga emrat që kanë bërë historinë e tij është edhe ai i Naim Pepës. Një sportist kampion dhe trajner që ka nxjerrë me duart e tij shumë kampionë.

Kuptohet që jeta e tij e shkurtër, ka bërë që ndoshta emri i tij të mos përmendet shpesh, por historia është e shkruar dhe si rrjedhojë ka një vend të rëndësishëm në panteonin e më të mëdhenjve të këtij sporti, raporton shkodrasport.com.

Naim Pepa ka lindur në Shkodër më 25 qershor të vitit 1949 dhe në rininën e tij për shumë arsye, zgjedh të merret me sport dhe kuptohet që ishte zgjedhja e duhur, sport të cilit do t’i kushtonte dy dekada e gjysëm.

Ishte pranverë e vitit 1965 kur pranë ekipit të të rinjve të mundjes klasike të Vllaznisë, u paraqit një djalë simpatik e me një fizik të shkëlqyer, i lindur për mundje. Ky ishte Naim Pepa, zbulimi i trajnerit të palodhur të të rinjve Sul Rama.

Naimi ishte vetëm 16 vjeç në atë kohë, Ai ishte i rregullt në stërvitje dhe mundjen e kishte me shumë pasion. Kishte dëshirë t’i mësonte të gjitha kapjet njëherazi dhe shumë shpejt do të zinte vendin e titullarit në ekip.

Ka qenë viti 1965 kur ai zhvilloi garën e tij të parë me ekipin e të rinjve të Vllaznisë, pikërisht në kampionatin kombëtar të të rinjve që u zhvillua në Peshkopi nga data 25-31 tetor.

Vllaznia në atë kohë drejtohej nga trajneri i mirënjohur Sulejman Rama dhe në formacionin e saj bënin pjesë Ali Guri, Agustin Kraja, Shefqet Guri, Mehdi Gërçari, Dushan Vaso, Bashkim Lici e Muhamet Rroshi, e krahas tyre edhe sportisti Naim Pepa.

Në kampionatin kombëtar të të rinjve në vitin 1966 është në formacionin bazë të Vllaznisë duke zhvilluar ndeshje të bukura dhe me kapje të ndryshme, e kjo bën që ai të bjerë në sy të specialistëve të cilët e vlerësojnë si në talent dhe kampion i së ardhmes, shkruan shkodrasport.com.

Naim Pepa gjatë periudhës së shërbimit ushtarak do të inkuadrohej në rradhët e ekipit të Dinamos. Ai është i padiskutueshëm në formacion me ekipin e të rriturve duke dhënë një kontribut shumë të madh për këtë ekip.

Njëkohësisht ai stërvitet dhe merr pjesë në mundjen e vetëmbrojtjes (sambo) ku dhe shpallet 2 herë kampion kombëtar si pjestar i ekipit të Gardës së Republikës.

Mbas kthimit nga ushtria, Naimi do të bashkohej me ekipin e Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Qazim Elbasani dhe është pjesë e formacionit, megjithëse ai kishte në përbërje të tij shumë mundësa të mirë. Por falë taentit që zotëronte, do të zinte vendin e titullarit në peshën e tij, falë edhe stërvitjes shumë të fortë që bënte.

Kjo do të jepte frutet e veta shumë shpejt sepse në garat e kampionatit kombëtar të vitit 1970 që u zhvilluan në Shkodër, Naim Pepa do të konkurronte në peshën e katërt, atë deri 62 kg duke zhvilluar ndeshje shumë të bukura dhe me temp të lartë, e sidomos me kapje të cilësisë së lartë dhe shpallet kampion kombëtar. Në këtë periudhë ishte vetëm 21 vjeç.

Rezultatet e tij të larta vazhdojnë dhe përsëri në vitin 1971 shpallet kampion kombëtar dhe realizon normën për të marrë titullin “Mjeshtër Sporti”. Gjatë kësaj kohe, do të ishte edhe anëtar i ekipit tonë kombëtar dhe titullar në peshën e tij 62 kg duke zhvilluar edhe disa takime ndërkombëtare si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke dhuruar ndeshje të bukura dhe fitore të rëndësishme si për atë nga ana individuale, por edhe për ekipin, raporton shkodrasport.com.

Naim Pepa do të shpallej kampion edhe në vitin 1972, e treta herë rradhazi, por pikërisht gjatë garës ai dëmtohet në menisk dhe me shumë vështirësi, arrin t’i çojë ndeshjet deri në fund dhe të ruajë titullin kampion

Në vitin 1973 kryen një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e dëmtuar dhe detyrohet të lërë sportin. Ishte vetëm 24 vjeç dhe padyshim që kjo ishte diçka e rëndë, por nuk kishte rrugë tjetër.

Megjithatë Naimi nuk do të largohej nga mundja sepse kryen një kurs specializimi 6 mujor për trajner pranë Insitutit të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë ku del shkëlqyeshëm dhe më pas merr drejtimin e ekipit të Vllaznisë nga duart e trajnerit Qazim Elbasani.

Si trajner punon me shumë pasion, me metoda të reja shkencore dhe bën që ekipi i Vllaznisë të jetë pretendent serioz për titull. Në rradhët e ekipit stërvit shumë sportistë cilësorë që janë kampionë kombëtar dhe anëtarë të ekipit kombëtar si për shembull Eljaz Guri, Nikoll Grimaj, Mirash Vuksani, Geg Gjoni, Dushan Vaso, Ali Murrizi, Paulin Merla, Paulin Sterkaj, Sait Fishta, Sander Leka etj.

Naim Pepa do ta drejtonte ekipin e të rriturve të Vllaznisë nga viti 1974 deri më 1980, pra për vjet fillimisht, duke ia kaluar më pas në dorë trajnerit tjetër Bajrami Agovi që do ta drejtontë në vitet 1981-1987, e më pas do të ishte sërish Naim Pepa që do ta drejtonte këtë ekip nga viti 1987-1991, pra edhe për 4 vjet të tjera, në total 11 vite si trajner i Vllaznisë.

Ai u nda nga jeta në mënyrë shumë të parakohshme pikërisht më 3 tetor 2000, pas një ngjarje tragj.ike duke shkaktuar një dhimbje të madhe jo vetëm te familja por edhe tek i gjithë komuniteti i mundjes.

Naim Pepa përpos titullit “Mjeshtër Sport”, është nderuar edhe me disa tituj të akorduar nga Klubi Vllaznia, Federata Shqiptare e Mundjes dhe Presidenti i Republikës, për veprimtarinë e tij të shkëlqyer në sportin e mundjes klasike.

Në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Klubit Vllaznia, u vlerua edhe si “mundës i shekullit”, pikërisht për shkak të arritjeve të tij të larta në këtë sport.
Përgatitën: Bajram AGOVI
Gjergj KOLA

Titujt individualë ndër vite:

– 2 herë kampion në mundjen sambo me Dinamon në vitet 1969 dhe 1970.

– 3 herë kampionë në mundjen klasike me Vllazninë në vitet 1970, 1971 dhe 1972.

– Anëtar i ekipit kombëtar

– Trajner i ekipit të të rriturve të Vllaznisë në vitet 1974-1980 dhe 1987-1991 (11 vjet)

– Mban titullin “Mjeshtër Sporti”

– është vlerësuar si “Mundës i shekullit” me rastin e 100 vjetorit të Klubit Vllaznia