Nese flasim per sportin ne Lezhe, kuptohet qe nder emrat e pare qe te shkojne nder mend per kontributin e jashtezakonshem te dhene per te, ne disa dekada me rradhe, me shume mundesi ne vend te pare do te ishte i ndjeri Nikolin Lorenci i cili per mbi 50 vjet ishte prane futbollit, si lojtar, trajner e drejtues.
E dyta ne kete “liste” me shume mundesi eshte Rita Hasku (Xhanaj) e cila sivjet mbush plot 42 vite qe jep kontributin e saj si trajnere volejbolli! E jashtezakonshme, si askush tjeter. Kuptohet, nese i llogarisim edhe vitet e saj si sportiste, kontributi i saj ne sport e kalon nje gjysmeshekulli.
Dhe ajo çka eshte me e bukura, ndonese ajo tashme ka dale ne pension dhe çdo vit ne mendjen e saj lind ideja se “ky do jete viti i fundit dhe nuk do merrem me me sport”, ne fakt, pasioni i madh i saj per volejbollin ben qe “ky vit” te shtyhet tek “vitin qe vjen” dhe me siguri qe keshtu do te vazhdoje edhe per vite te tjera sepse jeta e Rites nuk ka kuptim pa sportin.
TRADITA FAMILJARE
E rritur ne nje familje sportistesh, nuk kishte sesi edhe Rita te mos e zgjidhte kete rruge. I vellai- Gezimi, ish- portieri i njohur i Beselidhjes qe ka luajtur me Vllaznine, ka qene nje emer shume i njohur ne Lezhe dhe jo vetem. Po ashtu, edhe e motra Vjollca, nje gjimnaste e njohur.
Rrjedhimisht Rita qe ne moshe shume te vogel, qe ne shkollen fillore, do t’i bashkohej sportit te gjimnastikes ku do te punonte me trajneret shume te njohura Naime Dervishi dhe File Doku dhe vazhdon te ngjise shkallet e saj te karrieres duke kapur edhe normen e kategorise se pare sportive.
LIDHJA ME VOLEJBOLLIN
Ka ndodhur plot 48 vjet me pare, pikerisht ne vitin 1975 kur i mirenjohuri Lek Miraj ka hapur per here te pare nje ekip volejbolli te rejash ne qytetin e Lezhes. Dhe menjehere Rita Hasku u be pjese e tij bashke me disa vajza te tjera gjimnaziste te cilat pas pak muajsh moren pjese edhe ne kampionatin e kategorise se dyte qe u zhvillua ne Lezhe dhe ku moren pjese ekipe si Korabi, Rresheni, Gramshi, Beselidhja etj. Vazhdon te luaje volejboll gjithe vitet e gjimnazit dhe shquhet per talentin e saj.
STUDIMET E LARTA
Deshironte qe te studionte per fiskulture, por per arsye te ndryshme kjo nuk iu realizua fillimisht pasi i doli Ekonomiku. Por vetem pas disa muajsh, i erdhi mundesia per te nderruar dege dhe ajo nuk hezitoi per asnje sekonde duke shkuar tek Fiskultura dhe zgjodhi profilin e volejbollit per te cilin u specializua dhe mbaroi studimet me nje mesatare shume te mire, 9.2. Endrrat e saj ne kete menyre filluan te realizohen. Gjate periudhes se studimeve te larta, ka luajtur per gjashte muaj me ekipin e Studentit, por me pas peson nje demtim te rende dhe si rrjedhoje nuk mundet dot te vazhdoje.
RIKTHIMI NE LEZHE
Ne vitin 1981, Rita mbaron studimet e larta dhe rikthehet ne Lezhe. Puna e pare qe ka bere pas emerimit te saj, ka qene ringritja e te gjithe ekipeve zinxhir te cilet deri ne ate periudhe ishin mbajtur me shume veshtiresi nga Pjeter Lesi.
Ne vitin 1987 hapen shkollat sportive ne Ishull- Lezhe dhe sipas nje studimi te bere ne ate kohe, doli qe Lezha shquhej per shtatelartesi dhe si rrjedhoje iu dha shume prioritet sportit te volejbollit. Si rrjedhoje, te gjithe kampionatet e moshave ne ate periudhe u zhvilluan ne kete qytet.
Rita ishte aty ne krye te punes dhe natyrisht qe frutet e saj po i merrte gradualisht. Beselidhja mori pjese edhe ne dy Spartakiada Kombetare dhe te gjithe specialistet e volejbollit evidentuan elementin cilesor dhe shtatelarte qe ky ekip kishte ne rradhet e tij.
Nje pune e tille do te vazhdonte deri ne vitin 1993 kur per shkak te ndryshimeve ne vend, u shkaterrua gjithçka dhe askush nuk e kishte me prioritet sportin. E gjithe ajo pune e bere ne vite, u shumezua me zero edhe per Rita Haskun. Me pas, ne Shtepine e Pionerit ne Lezhe apo dhe tek shkolla “Gjergj Fishta” ku punonte, u mundua te krijonte ekipet dhe te mbante gjalle pasioneve e te rinjve dhe te rejave lezhjane per volejbollin.
RINGRITJA E EKIPEVE ZINXHIR
Ne vitin 2012 ne Lezhe u inagurua gjimnazi “Hydajet Lezha” i cili kishte ne brendesi te tij nje palester te mirefillte sportive. Kaq ka mjaftuar qe edhe edhe Rita Hasku “te ringjallej”. Ajo kujton se diten e pare kur ka hyre ne kete palester e ka puthur pragun e saj. U deshen disa muaj pune per ta vene ne funksion te plote ate dhe ne vitin 2013 gjithçka ishte ashtu si duhet.
Pikerisht ne kete vit mund te themi me plot gojen se u ringjall serish volejbolli dhe qe prej atehere e deri me sot, gjerat kane shkuar pergjithesisht mire. Kuptohet fillimisht me shume probleme ekonomike, por Rita ia doli t’i mbante ne kembe keto ekipe. Madje, duke mbyllur edhe nje biznes te saj sepse deshironte t’i perkushtohej maksimalisht sportit!!!
Njerez te tille ne fakt nuk eshte se gjen shume ne qarkullim aktualisht dhe prandaj kjo gje e ben edhe me te veçante protagonisten e ketij shkrimi. Ka ngritur me sukses te gjithe strukturen e ekipeve te moshave, nga U14, U16, U18 dhe se fundi edhe U20.
TALENTET E DALA PREJ DUARVE TE SAJ
Jane te shumta ne gjithe keto vite, por kuptohet qe disa prej tyre kane lene me shume gjurme, edhe per karrieren qe kane patur. Spikat mbi te gjitha Fatbardha Picaku e cila nga Beselidhja kaloi tek UMB e me vone tek Partizani, teksa ka qene edhe nje lojtare e rendesishme e kombetares shqiptare. Per te vijuar me Marina Martini, nje tjeter volejbolliste qe luan me Partizanin dhe ka qene pjese e ekipeve kombetare te moshave.
Sot mund te permendim dy te tjera, Elisa Gjeçin qe eshte pjese e formacionit baze edhe e kombetares U18 si dhe Sabrina Mataj qe eshte pjese e kombetares U20. Pa lene menjane edhe faktin tjeter qe plot 9 ish- volejbolliste te saj, kane kryer studimet e larta dhe tashme po japin kontributin e tyre si mesuese te edukimit fizik.
BASHKEPUNIMI ME GENTIANA NICAJ (QOSE)
Prej 6 vitesh, Rita Hasku eshte me ndryshe. Me e plotesuar dhe me e gezuar njekohesisht. Perkrah saj eshte duke punuar edhe Gentiana Nicaj (Qose). Ish- lojtarja e kombetares shqiptare te volejbollit, qe aktualisht eshte edhe pedagoge ne Degen e Edukimit Fizik ne Universitetin “Luigj Gurakuqi” te Shkodres, i ka dhene me shume gjalleri volejbollit ne Lezhe, kuptohet duke futur edhe ide e metoda te reja stervitje. Rita eshte shume e lumtur per kete gje, sepse ne fund te fundit eshte e qete se neser a pasneser kur ajo te vendose te mos merret me me kete sport, do ta lere ate ne dore te sigurta, per ta çuar edhe me perpara.
GJENDJA AKTUALE E VOLEJBOLLIT NE LEZHE
Per momentin jane plot 85 vajza qe sterviten çdo dite nga trajneret Hasku e Nicaj, ne 4 grupmosha te ndryshme. Nese deri para disa vitesh ekzistenca e ketyre ekipeve ka qene ne pikepytje per shkak te problemeve financiare, duket se me ardhjen e kryebashkiakut Pjerin Ndreu ne kete detyre, shume gjera kane ndryshuar per shumesporteshin ne Lezhe. Ka me shume mbeshtetje, ka me shume perkushtim per t’i ndihmuar sportistet dhe trajneret, por problemi i madh mbetet mungesa e nje palestre.
Eshte premtuar prej kohesh por akoma nuk eshte bere realitet dhe prej 10 vitesh ekipet e volejbollit te Beselidhjes ndeshjet i zhvillojne ne Rreshen. Megjithate problem mbetet edhe palestra e stervitjes. Ndertohen te reja por pa standartet e duhura dhe si rrjedhoje, ekipet vazhdojne te sterviten ne nje palester me beton dhe ne kushte krejt te papershtatshme per t’i mesuar keto vajza te luajne bukur volejboll.
“PASIONIN PER SPORTIN E KAM NE GJAK”
Rita nuk ka shume deshire te flase. Megjithate per “Shkodra Sport” ia kemi shkeputur pak fjale teksa ajo shprehet: “Gjithçka kam dhene per sportin, e kam bere sepse pasionin per te e kam ne gjak. Nuk mund ta mendoj veten larg tij. Kam sakrifikuar shume kohe, edhe financa madje, por e kam bere me shume deshire sepse jeta time eshte e lidhur me sportin. Prej 42 vitesh punoj si trajnere dhe llogarit ketu edhe vitet si sportiste apo dhe ato te shkolles e behet mbi gjysmeshekulli qe jap kontributin tim per sportin ne Lezhe dhe ndjehem e lumtur qe kam vendosur nje gur ne te.
Ajo qe me gezon pamase eshte afrimi i nje emri te njohur te volejbollit shqiptar siç eshte Gentiana Nicaj (Qose) dhe tashme jam e qete se ajo do ta çoje edhe me perpara punen time. Na duhet nje palester sepse nese do ta kishim nje te tille ne kushte bashkekohore, jam e sigurte se volejbolli por edhe sportet e tjera ne Lezhe do te ecnin shume perpara.
Ky qytet ka shume djem e vajza te rinj, te cilet kane te gjithe elementet e duhura per t’u bere sportiste cilesore dhe prandaj mbes me shpresen se pa kaluar shume kohe, edhe ne do ta kemi nje palester te tille”.
Gjergj KOLA