Nga Faik Sadiku

Një vend në shkrimet e mia për ata që kanë bërë histori te sporti ynë, e te atletika shqiptare, janë çifti me histori Rasimi e Moza Kraja (Meta). Ky çift simpatik, u njohën që të vegjël aty te pedana e atletikës në “Vojo Kushi”, pikërisht aty lindi shkëndija e parë e dashurisë, e cila do konsolidohej në përjetësi, kur Moza ishte 13 vjeçe, e Rasimi 16 vjeç, që në atë kohë, si pa dashje, te ky çift simpatik kishin lindur për njëri-tjetrin, e vërtet ashtu ndodhi. Dhe çifti tjetër, ishte e njëjta histori. Ata ishin atletët kampionë e rekordmenë në vrapimet e shkurtra Myzejen e Enver Dervishi, po te “Vllaznia”.

Janë dy lidhje në sport, dy raste unikale, që gatuhen në Shkodrën e bukur, toletante, e të suprizave, të artit, kulturës e sportit, emblemë në vendin tonë. E mbaj mend mirë, çiftin e pandarë, Kraja, kudo pa iu ndarë njeri-tjetrit. E mbaj mend Rasimin, një djalë çapkën, kurajoz, një talent, në garat e shpejtësisë, kampion e rekordmen, por dhe i humorit. Ai me një trup për tu pasur zili, gati 1.90 cm ishte i jashtëzakonshëm në garat e shpejtësisë, e që fatkeqësisht e papritmas i lënë totalisht në pluhurin e harresës. Talenti i tij bie shpejt në sy kur ishte 15 veç në vit të parë te shkolla e mesme 29 “NËNTORI”. Aty te stadiumi “Vojo Kushi” zhvillohet gara e shkollave të mesme, ku do shpërtheje në garën e 100 metrave e shpallet më i miri, me kohën 11.5’’. Mbas gare ai rrëmbehet menjëherë nga trajneri Dizdari të cilin pa mëdyshje e bashkon të grupi “legjendë”, te Vllaznia kampion të kohës.


Moza Meta, një emër i spikatur në atletikën shkodrane

Nga ana tjetër, për Mozën ishte më e vështirë përfshirja e saj te sporti i atletikës, se mentalitetet patriarkal i kohës ja vështirësonin shumë ecurinë e vajzave në sport, se paraqitja në publik me “kilota” ishte vërtetë tabu për kohën. Falë këmbënguljes së babait të atletikës tonë, trajnerit, “legjendë” Dizdari, e këmbënguljes së tij, nëna e Mozës, Hajrija, motra e Bajram Currit, ia dorëzon vajzën profesor Fetit, kur Moza ishte 13 vjeçe e cili i bashkohet familjes së vajzave, që më vonë do jenë kampione pa diskutim te “Vllaznia”. Një vit më pas në moshën 14 vjeçare, ajo përfaqëson “Vllazninë” në kryeqytet në spartakiadën e parë kombëtare në vitin 1959, ku do shpallet e dyta në 100 metra me kohën 12.5 sekonda.


Krah për krah në atletikë

Aty te pedana e “Vojo Kushit” çifti i pandarë Kraja do e kurorëzojnë lidhjen e tyre në martesë, me të cilën do trashëgojnë një djalë e një vajzë. Rasim Kraja, ky emër i shquar i atletikës shqiptare, i përket periudhës së viteve 1955-1970. Ai ka lindur në qytetin e traditave kampion, në art, kulturë e sport, me 23.05 1942, nga një familje intelektuale e me tradita në sport te lagja Rus, dhe kjo një vatër talentesh në gjitha llojet e sporteve, nga prindërit Kasem e Fatime Kraja. Shkollën 8-vjeçare e kryen te shtëpia e Dan Hasanit, e cila nuk ekziston në ditët e sotme, por na ka mbetur në kujtesën tonë si relike. Të mesmen e kryen me sukses te “29 Nëntori”, një shkollë, elite sportive në të gjitha nivelet, aty ai spikat me talentin e tij që në vit të parë, e do përfundojë te pista e “Vojo Kushit”, për tu bërë një kampion i madh me tituj e rekorde kombëtare, në këto disiplina në garat e shpejtësisë, një brez me V. Tufin, G. Memën, e E. Devishin, kampion në 100, 200 metra e stafetë 4x100m.


Sukseset e Rasimit në atletikë

Rasimi e ka nisur sportin e atletikës që i vogël. Ai shquhet te moshatarët e tij në garat e shpejtësisë, e do bjerë shpejt në sy të specialistëve, ku pa mëdyshje që 15 vjeç i bashkohet Vllaznisë së të rriturve, për të bërë histori. Është atlet i “Vllaznisë”, i “Partizanit” dhe ekipit tonë përfaqësues. Mbi supet e tija ai mban mbi 30 rekorde kombëtare, në disiplinën e garave të shpejtësisë, ku vlen të përmendet ai stafetës 4x100m me 42.31 sekonda, e në 100 metra absolut për kohën 10.9 sekonda.


Ndihmesa e Mozës

Sukseset e profesor Rasimit nuk do u realizoheshin pa ndihmën e pakursyer të Moza Metës, udhërrëfyese në jetën e tij. Moza, një zonjë e lindur e rritur në Shkodër është mbesa biologjike nga nëna e saj Hajria, motra e heroit tonë Bajram Curri, i cili ra heroikisht te shpella e Dragobisë në vitin 1925 nga dora tradhtare e pabesia e Kadri Mehmetit. Ndërsa nga babai është shkodrane, nga familja Meta, e lindur me 28 maj 1945. Babai i saj, Ragip Meta, një intelektual dhe një sportist i dalluar, bashkëkohës i trajnerit “legjendë” Fehti Dizdari në atletikë, luajti në futbollin e para luftës pra ishte elite te “Vllaznia”.

Po ashtu dhe xhaxhai i saj si një sportist i dalluar ka qenë futbollist i “Vllaznisë”. Pra një familje sportistësh elite, ku portretin e saj e plotëson motra e vogël, e ndjera Valdete Meta, dhe kjo një atlete, basketbolliste, gjimnaste, dhe një shahiste e dalluar te “Vllaznia”. Moza Meta u vu nën kujdesin e trajnerit Dizdari, një prind i dytë aso kohe, i cili krijoi grupin e vajzave atlete që dolën kampione absolute në Shqipëri. Ata për 15 vite me radhë, nga vitet 1948 deri në vitet 1963, stacionuan atletikën tonë në Shkodër, tituj të cilët i shijoi dhe Moza me kontributin e saj në garat e shpejtësisë 100 e 200 metra, në krahë të Myzejen Duli, Marije Gjoni, e Adile Danin, e me të tjera vajza kampione e rekordmene të asaj kohe.

Mungesa e vlerësimit për Rasim Krajën

Kampioni e rekordmeni ynë, Rasimi, si një sportist elite te mbretëresha e sporteve, mbasi e mbyll sportin e atletikës, në vitin 1970, kryen shkollën e lartë në degën Kimi-Biologji, punon si trajner pranë moshave te “Vllaznia”, e më pas, në një jetë pa komplekse, kalon si mësues i lëndës Biologji-Kimi te shkolla 7 “Nëntori”. Aty te ajo shkollë kam pasur nderin të më mësojë dhe mua profesor Rasimi.

Në vitin 2017, kur ishte e në kohën e tij ma të bukur 75 vjeç, papritmas jeta e tij shuhet përfundimisht, për të mbetur në përjetësi, dhe elite për brezin e ri. Emri i tij me tituj kampion, e rekorde, figuron, vetëm në protokollet e garave kombëtare e ndërkombëtare të atletikës, për kohë2n, e asgjë më shumë për Rasimin me histori. Në CV e tij ai ka një titull sportiv “mjeshtër sporti” në 1965, kur ishte në kulmin e tij të karrierës, e asgjë tjetër, më pas padyshim një harresë e qëllimshme, në shërbim të paaftëve pa histori. Unë mendoj, ata që drejtojnë sportet në bashki duhet të shfletojnë dokumentet për ata që kanë bërë histori. Rasimi nuk kërkon grada, por do vendin e merituar, ashtu si shumë bashkëkohësit e tij të lënë në harresë.(Marrë nga gazeta “Sot”)