Pasditja e së shtunës ka dhuruar shumë emocione në Shkodër. Festivali i shahut “Çesk Jubani” ka mbledhur sëbashku pas më shumë se 25 vitesh shumë figura të njohura të këtij sporti. Fotoja që shoqëron këtë shkrim flet vetë.

Në të janë pesë pjestarë të shquar të Vllaznisë së viteve ’80 e cila “bënte ligjin” në shahun shqiptar të femrave teksa fitoi disa tituj kampionë dhe dy Spartakiada Kombëtare. Janë takuar me njëri- tjetrin pas kaq shumë vitesh dhe kanë ndarë me njëri- tjetrin shumë kujtime të bukura.

Aty është sërish edhe pas kaq shumë vitesh njeriu që ka meritën e krijimit të këtij ekipi, trajneri Muhamet Gradeci. Aty është katër herë kampionia e vendit Ylvije Boriçi, aty është tre herë kampionia Albana Vuji, e po ashtu edhe Arta Alushi (Driza) një herë kampione. Bashkë me to edhe Valbona Milla e cila ka dhënë edhe ajo një kontribut shumë të madh në sukseset e arritura të këtij ekipi.

Mungon vetëm Marina Vuji e cila e ka patur të pamundur të jetë e pranishme për shkak të disa rrethanave familjare. Megjithatë takimi i pesë pjestarëve të tjerë të këtij ekipi sëbashku pas kaq shumë vitesh, ka dhuruar shumë emocione.

Ja pse, mënyra e organizimit e Bashkisë Shkodër për këtë aktivitet ka qenë tejet e gjetur. Nuk ka qenë thjesht një Festival Shahu, për të kujtuar një tjetër emër të madh të këtij sporti si Çesk Jubani.

Por edhe mbledhja e të gjithë atyre që kanë kontribuar për këtë sport në vite, si për meshkuj ashtu edhe për femra. Apo dhe dhënia e një “Mirënjohje” nga Bashkia, në shenjë falenderimi për kontributin e dhënë për këtë qytet dhe për Sportklub Vllaznia.

100 Vjetori i klubit të paktën tek shahu është festuar në mënyrën e duhur. Të shpresojmë që edhe në sportet e tjera të jetë i njëjti organizim në mënyrë që secili prej atyre që ka bërë sport të jetë i vlerësuar dhe i nderuar për atë çfarë ka dhënë për këtë qytet dhe për këtë klub.
© shkodrasport.com