Nga Endri ÇINARI
E kemi thënë shpesh se futbollistët shkodranë shkëlqejnë kudo ku aktivizohen dhe një prej tyre është edhe Aleksandër Trumçi. Mbrojtësi i djathtë po mahnit në Maqedoninë e Veriut, ku tashmë aktivizohet me Shkëndijën e Tetovës. E cila është aventura e parë për 24-vjeçarin jashtë Shqipërie. Performancat e Trumçit kanë qenë me të vërtetë bindëse për sezonin 2024-25 në elitën e futbollit maqedon.
Dhe kjo u konfirmua edhe në duelin e fundit që Shkëndija fitoi në shifrat 1-0 ndaj Pelisterit, ku gjithçka u vendos nga një gol i Ibraimit. Por pavarësisht se nuk shënoi, Trumçi ishte një nga më të mirët në fushë, madje duke merituar edhe vendin në formacionin e javës së 23-të në Maqedoninë e Veriut. Një vlerësim për performancën e shkodranit, që është një nga pikat e forta të skuadrës kuqezi, shkruan shkodrasport.com
Aleksandër Trumçi është një prodhim i akademisë Shkodra dhe në karrierën si profesionist fillimisht është aktivizuar tek Veleçiku. Në vendin tonë u bë i njohur me fanellën e Bylis, ku qëndroi për 4 sezone e madje duke u graduar edhe si kapiten i mallakstriotëve. Në verën e shkuar, me këmbënguljen e trajnerit Jeton Beqiri që drejton Shkëndijën, Trumçi iu bashkua tetovarëve për një shifër prej 50 mijë eurosh të paguar ndaj Bylis.
Në Tetovë ai menjëherë është shndërruar në një nga lojtarët më të dashur nga tifozeria. Duke vijuar edhe traditën pozitive të futbollistëve shkodranë që janë aktivizuar më parë me kuqezinjtë. Ku në të shkuarën emra si: Guri, Hebaj apo Çinari kanë dhënë kontribut të vlefshëm për skuadrën e njohur tetovare.(www.shkodrasport.com)
