Në një Botëror për Klube ku munguan yjet e mëdhenj, talenti i ri turk, Kenan Jildiz, ka marrë në duar fatet e Juventusit me dy paraqitje spektakolare.
Futbollisti i lindur në vitin 2005 ka konfirmuar veten pas golit të mrekullueshëm kundër Al Ain, duke shkëlqyer edhe ndaj Kazablankës dhe duke e çuar Juventusin në fazën e 1/8-ve. Kenan Jildiz është padyshim fytyra kryesore e këtij Botërori, duke u dalluar me gola dhe lojë të jashtëzakonshme.
Ai së pari shkaktoi autogolin e Botuilit, pastaj shkëlqeu në stadiumin “Lincoln Financial Field” në Filadelfia me një dopietë të jashtëzakonshme. Performanca e tij vlerësohet me notën dhjetë dhe si një numër dhjetë i vërtetë, një gjë e rrallë që nga fillimi i këtij turneu në Amerikë.
Ndërkohë, yjet si Mbape, Kejn dhe Haland kanë munguar në shkëlqim, Mbape është jashtë për shkak të një gastroenteriti, Kejn ka shënuar vetëm një gol, ndërsa Haland ka luajtur vetëm 30 minuta në ndeshjen e parë. Ndër talentet e rinj, yjet Estevao dhe Mastantuono nuk kanë shkëlqyer ende, ndërsa Mesi ka shënuar një gol të bukur, por mungojnë momentet e tij magjike. Pas 180 minutash loje, Kenan Jildiz ndodhet në krye të listës së golashënuesve së bashku me Olisenë, Musialën dhe Di Marian, secili me tre gola.
Golat e Jildiz janë të veçantë, fillimisht një goditje e fuqishme nga jashtë zone që përfundoi në shtyllë dhe më pas golin e tretë kundër Al Ain, pastaj një goditje spektakolare nën shtyllën anësore në pjesën e parë në Filadelfia dhe në fund, një driblim magjik në zonën e rreptësisë që përfundoi me golin e realizuar me të djathtën ndaj portierit Benabid. Në rrjetet sociale ai është quajtur “Del Piero i ri”. Takimi i radhës për Juventusin është të enjten kundër Mançester Sitit, ku Yildiz mund të konfirmohet si ylli absolut i këtij Botërori.