Mbulesa televizive e Premier League do të pësojë një ndryshim të madh në sezonin 2025/2026, pasi transmetuesit do të përfitojnë nga një qasje e paprecedentë tek lojtarët dhe dhomat e zhveshjes.

Yjet e zëvendësuar do të intervistohen pranë fushës gjatë ndeshjeve të transmetuara drejtpërdrejt, ndërsa kamerat do të kenë mundësinë të ndjekin nga afër festimet e golave dhe të hyjnë për pak çaste në dhomat e zhveshjes, një qasje e frymëzuar nga formatet e transmetimit të sporteve amerikane.

Premier League ka konfirmuar një sërë risish që do të debutojnë në sezonin 2025/2026, sipas The Telegraph, duke shënuar një evolucion të rëndësishëm në mënyrën se si transmetohen ndeshjet.

Ndër ndryshimet kryesore është futja për herë të parë e intervistave pranë vijës anësore me lojtarët e sapozëvendësuar.

Këto risi janë pjesë e marrëveshjes së re për të drejtat televizive brenda Anglisë, që përfshin një kontratë rekord prej 6.7 miliardë eurosh me Sky Sports dhe TNT Sports.

Elementët e tjerë të konfirmuar përfshijnë:

-Operatorët e kamerave do të lejohen të hyjnë për pak çaste në fushë gjatë festimeve të golave, për të siguruar pamje më të afërta dhe më personale.

-Do të lejohet qasje e kufizuar në dhomat e zhveshjes, por jo gjatë diskutimeve taktike apo gjatë pushimeve të pjesëve.

Këto ndryshime pasqyrojnë përqendrimin në rritje të Premier League te aspekti argëtues i sportit, në një treg global gjithnjë e më të mbushur me përmbajtje.

Transmetuesit, veçanërisht Sky dhe TNT Sports, po kërkojnë akses më të gjerë për të justifikuar kostot e larta të të drejtave televizive, ndërsa liga po i përgjigjet me përshtatje të stilit amerikan, që prej kohësh është i pranishëm në liga si NFL dhe NBA.