Bashkia Shkodër ka njoftuar që më datë 21 qershor do të zhvillohet një koncert në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo gjë duket se ka krijuar pakënaqësi te klubi i Vllaznisë, pasi koncerti përkon disa ditë para ndeshjes së Kupave të Europës.
Presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi tha për “Shqipëria Live” se ky vendim ka ardhur pa njoftuar klubin, gjë për të cilën ai u shpreh se do të ndiqte rrugë ligjore nëse kjo gjë vazhdon të bëhet nga ana e bashkisë.
“Kjo është pak estradë. Humor shkodran si i themi ne. Jam sponsor i koncertit dhe kam marrë njoftimin nga Bujari (Asqeriu) personalisht që do bëjë një koncert të madh dhe i kam thënë me kënaqësi. Nuk është krenari vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipërinë që ta mbështesim Bujarin të na japë atë muzikën e bukur. Por ndërkohë që jam sponsor, kjo është edhe pjesa e humorit, nuk isha fare në dijeni se ku do bëhej koncerti. Po flas për klubin në këtë rast, por edhe për Federatën.
Kjo është një situatë e paprecedentë, sepse mesa mbaj mend, në 30 vitet e fundit, stadiumi “Loro Boriçi” nuk është përdorur për ndryshim destinacioni përveç eventeve sportive. Në këtë rast ne po flasim për një ndryshim destinacioni. Nuk është çështja e koncertit të Bujarit, por për një qasje që ka Bashkia e Shkodrës karshi një tempulli që është i të gjithë shkodranëve, nuk është absolutisht i as i Vllaznisë e as i Bashkisë, por i gjithë shkodranëve. Madje i gjithë shqiptarëve, se aty janë luajtur ndeshje të Kombëtares…
Nuk është bërë asnjë event kulturor qëkur është bërë stadiumi i ri. Çështja është që nëse ndërrohet destinacioni, sipas ligjit, duhet që të merret vendimi në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Nga ana e bashkëpunimit që kemi me Bashkinë Shkodër dhe Federatën, duhet minimalisht që të ulen palët dhe ta diskutojnë.
Në kuadër të koncertit, neve na është bërë fakt i kryer. Kemi njoftuar Federatën që këtu do bëhet një koncert. Këtu ka një problem madhor, sepse stadiumi është licencuar që të luajë Vllaznia në Kupat e Europës. Ka disa kritere që Federata ia ka dërguar dhe Bashkisë Shkodër, duke njoftuar që stadiumi duhet përdorur vetëm për evente sportive.
Ne jemi habitur dhe i kemi pyetur se si e kanë marrë këtë iniciativë pa njoftuar klubin. Përgjigja e tyre ishte shumë e thjeshtë, që do bënin koncerte të vazhdueshme, sepse stadiumi është pronë e tyre.
Ne këtë nuk e mohojmë, sepse stadiumi pronë e bashkisë është, ësht5ë pronë e gjithë Shkodrës. Në dy muajt e fundit kemi vënë re që në stadium janë shtuar shumë aktivitetet dhe klubi s’ka dijeni.
Sot kemi çuar një njoftim që nëse do bëhen aktivitete pa u njoftuar me klubin, atëherë ne do vazhdojmë në rrugë ligjore. Dje u mërzitëm kur Bashkia Shkodër e bëri fakt të kryer që do bëhej koncerti.
Ne ndeshjen e parë në Europë e kemi me 10 korrik. Koncerti është më 21 qershor dhe stadiumi nuk rikuperohet dot”, u shpreh Xhaferi.