Një nga supersfidat e javës së 21-të së Superiores mes Partizanit dhe Vllaznisë është mbyllur me shifrat 1-1. Shkodranët hynë me qëllimin e vetëm për të fituar, por duhet të jenë të kënaqur me rezultatin e marrë, teksa në pjesën e dytë shkodranët do të luanin me një lojtar më pak, pasi Esin Hakaj do të dilte jashtë fushës me karton të kuq, pas një ndërhyrje të gabuar.

Barazimi 1-1 mund të cilësohet i drejtë, por jo edhe shumë i lumtur për skuadrën shkodrane, teksa te Vllaznia janë të zhgënjyer për barazimin. Një gjë të tillë e shpreh edhe presidenti Alban Xhaferi, teksa foli pas ndeshjes me Partizanin dhe theksoi se disa vendime të gjyqtarit Lata ishin të gabuara.

“Ne kishim ardhur për fitore, por unë mendoj se ndoshta u bë edhe një gabim nga gjyqtari Lata te pjesa e Partizanit, sepse ishte një lojtar për të dalë me të kuqe nga ana e tyre. Këtë do ta shohim edhe në vazhdim.

Ndoshta do të barazohej loja dhe sigurisht do të kishte fituar më i miri, por pastaj nga mënyra se si rrodhën ngjarjet, mendoj që ne duhet të jemi të kënaqur me këtë barazim dhe duhet të shohim përpara.

Absolutisht që, besoj akoma te titulli kampion. Nuk mund të them se e kompromenton. Sigurisht që e vështirëson, sepse tashmë bëhet fjalë edhe 15 ndeshje, por duhet të presim edhe ndeshjet e nesërme se si do të ndahen”,-mbylli prononcimin e tij, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi.
Maringlen ZHIVANI